To top
16 Kor

KLP shpall 15 kandidatët e përzgjedhur për në SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përzgjedhur 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas KLP, do të vijojnë më tej garën për në SPAK prokurorët Altin Dumani, Anton Martini, Elizabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi.

Ndërkohë, KLP ka vendosur të përjashtojë nga gara disa prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë, ku nuk ja kanë dalë të jenë në listën e 15 prokurorëve nga 22 kandidatë që janë intervistuar në total nga KLP.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimaj tha se SPAK do të ngrihet menjëherë sapo një numër i konsiderueshëm i kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme, të kalojnë të dyja shkallët e vettingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe atë të Apelimit.

“Do të mbetemi në pritje të ecurisë së vetingut dhe kur kandidatët t’i kalojnë të dyja shkallët e vettingut atëherë do t’i emërojmë në detyrë”, tha Ibrahimi.

I vetmi prokuror në listën e të përzgjedhurve që ka kaluar të dyja hallkat e vetingut, është prokurori Arben Kraja.

Një fjalë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e pati edhe për prokurorët që nuk ja dolën të ishin në listën e 15-të të përzgjedhurve. Siç Ibrahimaj tha, ata mund të kandidatojnë për të qenë pjesë e personelit të SPAK-ut.

“Disa prej kandidatëve që nuk ja dolën të ishin në listë,  kanë gabuar me interpretimin e rregullores, dhe këta zonja dhe zotërinj që nuk janë në listë, janë të inkurajuar të konkurrojnë për prokurorinë e posacme në rangjet e tjera për personel të SPAK-ut”, tha Ibrahimi.

SPAK është “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Kjo strukturë përbëhet nga Prokuroria e Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin “Byroja Kombëtare e Hetimit”, BKH, në varësi të saj.

Komisioni i Posaçëm ka miratuar një metodologji vlerësimi me pikëzim për secilin kandidat në perputhje me “Rregulloren për ngritnen e SPAK” e miratuar në seancën plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Procesi është mbikëqyrur përgjatë ecurisë së tij nga misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.