To top
8 Mar

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh me rastin e 8 Marsit: Emancipimi gjinor ende prapa shkallës së demokratizimit

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, krahas urimit me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, nënvizon se kjo është një ditë reflektimi.

“Sot mbushen 110 vjet nga festimi për herë të parë i Ditës Ndërkombëtare të Grave. Megjithë përpjekjet shekullore të njerëzimit, gratë dhe vajzat janë ende të diferencuara nga pjesa tjetër e shoqërisë. Krahas proceseve demokratizuese, shoqëria shqiptare është përfshirë gjatë dekadave të fundit në një proces emancipimi shoqëror e gjinor. Por emancipimi gjinor është ende prapa shkallës së demokratizimit të shoqërisë. Ne kemi rezultate më të larta se BE në indeksin gjinor në fushën e qeverisjes, por nuk  mund të themi të  njëjtin konstatim për aspektet e tjera të barazisë gjinore. Indeksin e përgjithshëm të Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE. Barazia gjinore duhet të jetë në rradhë të parë në aksesin në tregje dhe pjesëmarrjen ekonomike. Dhe pjesëmarrja ekonomike është në radhë të parë pjesëmarrja në forcën dhe në tregun e punës. Gratë dhe kanë akses të pamjaftueshëm në treg. Segmentimi dhe segregimi gjinor në tregun e punës mbetet një problem për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Shkalla e punësimit për gratë e vajzat është rreth 15 përqind më e ulët se e burrave, hendeku gjinor i pagave është në kufijtë 10 përqind. Gratë dhe vajzat janë më trë privuara në akesin në burime, njohuri dhe shfrytëzimin e kohës  si edhe pajtimin e  veprimtarisë profesionale me jetën familjare. Dhuna ndaj grave e vajzave që konstatohet gjatë dekadave të tranzicionit ndodh për shkak të rigjallërimit të demonëve të vjetër autoritarist  e maskilist, por edhe për shkak të edukimit, vëmendjes, kontrollit dhe më të pakët të shoqërisë. Këto çështje duhet të bëhen më shumë  objekt i politikave, edukimit dhe ligjeve tona.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.