To top
27 Kor

Kuvendi “fal” Metën. Me 78 vota Pro, miratohet raporti final i Komisionit Hetimor për mosshkarkimin e Presidentit të Republikës

Në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare të radhës, ku shqyrtoi dhe miratoi me 78 vota pro, 17 kundër dhe 8 abstenim, raportin përfundimtar të komisionit hetimor, “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.

Në fillim të seancës, Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti z. Ulsi Manja, paraqiti përpara deputetëve raportin voluminoz, në të cilin analizohen dhe u jepet përgjigje kërkesës së 55 deputetëve për hetimin e veprimeve të kryera nga Presidenti i Republikës për çdekretimin e zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, si dhe për procedurat për emërimin e anëtarëve  të Gjykatës Kushtetuese.

Më konkretisht në këtë raport analizohen kompetencat e Presidentit për të anulluar datën e zgjedhjeve, cënimi i së drejtës për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur, shkelja e periodicitetit të zgjedhjeve, mosrespektimi i parimit të sovranitetit të popullit, si dhe  emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Manja, në cilësinë e Kreut të Komisionit Hetimor theksoi se Presidenti i Republikës e ka shkelur dy herë Kushtetutën, si në rastin e zhdekretimit të zgjedhjeve, ashtu edhe në rastin e emërimit të Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese, por që shkeljet e konstatuara nuk çojnë detyrimisht në shkarkimin nga detyra të kreut të shtetit.

“Për herë të parë në 30 vjet diskutohet raporti i ngritur me kërkesën e 55 deputetëve që kanë vënë në lëvizje mekanizmin kushtetues e ligjor për shkarkimin e një presidenti për shkelje të rëndë të Kushtetutës, bazuar në nenin 90 të saj. Natyra delikate e objektit të komisionit e justifikon kohëzgjatjen e tij. Raporti përfundimtar i miratuar më 20 korrik të mbledhjes së Komisionit Hetimor ka 40 faqe, është plani i hetimit, vendimmarrjet përkatëse dhe të gjitha aktet. 40 faqet janë votuar nga 48 kolegë, ndërsa 5 faqe janë mendim i pakicës: Halit Valteri dhe Alban Zeneli.

Shkarkimi  i Presidentit, kalon në tre faza: Komisioni hetimor, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese. Është seanca plenare, ajo që përmes fakteve i jep edhe një vlerësim politik të kërkesës për shkarkim. Për të qënë të qartë për publikun se edhe nëse Kuvendi e voton për shkarkim është Gjykata Kushtetuese ajo që jep verdiktin final për shkarkimin e Presidentit. Kemi vërejtur disa shkelje, veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Kushtetutën si në rastin e zgjedhjeve vendore, ashtu edhe me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Arrijmë në përfundim se dekreti i Metës 10/6/2011 për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, si dhe dekreti në 13/12/2011 për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese janë akte dhe vendime antikushtetuese.  Shkeljet e Presidentit dhe pasojat që ato kanë sjellë, duke mbajtur në konsideratë rolin e tij janë shkelje që nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkim, por diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen.  Shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk është kompetencë e Presidentit, por vetëm dekretimi i tyre”, u shpreh Manja.

Pas prezantimit të raportit, e morrën fjalën kryetarë të grupeve parlamentare. Z. Myslym Murrizi, Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherazi Kryetar i Grupit parlamentar “Demokrat” që në krye të herës u shpreh  kundër përfundimit të raportit dhe kërkoi shkarkimin e Presidentit.

“Jeni ortakë, nuk shkarkoni njëri-tjetrin. Ju ngritët komisionin, ai thirri 2 marsin dhe ngriti kundërshtarët tuaj. Ulsiu u nis të shkarkojë Metën, por ka shumë mundësi që pas kësaj seance o shkarkohet Ulsi, o shkarkohen të gjithë anëtarët e atij komisioni. Unë do doja që ata deputetë që firmosën, të votonin për shkarkimin e Presidentit Meta. Kolegët u mblodhën dhe firmosën rrufe për ta shkarkuar, por kush i trembi? Ku i keni firmat që do t’i bënit gjëmën Presidentit? U zeruat sot. Meta nuk kënaqet as me fitoren në letër, as me përqindjen, as me bashki, ai ka instikt tjetër dhe po s’e preku me dorë, nuk e quan.

Unë do të votoj kundër raportit tuaj, edhe pse nuk kam qenë një ndër firmëtarët për shkarkimin e Metës. Ju e dini vetë pazarin 8 muaj para zgjedhjeve, ku kërkoni një ortakëllik pas muaj-maj të 2021. Presidentin Meta e vlerësoj si heroik për qëndrimin e 2008-ës dhe shpresoj shumë ta përshëndesë 30 korrikun e të mos fshihet. Duhet ta përshëndesësh, sepse shqiptarët presin me padurim të çahet muri i kalbur i këtyre 30 viteve”, u shpreh z. Murrizi.

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, z. Taulant Balla vlerësoi punën e bërë nga Komisioni Hetimor për Presidentin e Republikës, në një kohë kaq të shkurtër, si dhe shtoi se arsyeja që nuk e shkarkohet Presidenti i Republikës është se mazhoranca beson në ndarjen e pushteteve. “I mirëkuptoj të gjithë ata që jashtë kësaj salle, që mund të jenë të shumtë, që shprehin pakënaqësi me gjetjet e komisionit hetimor për mosshkarkimin e Metës. Ndjej kënaqësi edhe për faktin që këtu në sallë ka deputetë që morën fjalën dhe thanë se komisioni i mori të keqen udhëheqësit Ilir Meta, dhe kjo është shenjë e pluralitetit politik dhe do e mbyll këtu këtë pjesë. Së pari faleminderit komisionit Hetimor Parlamentar, ndërsa për të gjithë ata që s’e mbajnë mend ky komision është dashur të shtojë elementët e tij. Raporti sot është padyshim konfirmim i gjithëçka kemi thënë. Thuhet qartë se Presidenti ka kryer shkelje: anulloi zgjedhjet 2) nuk zbatoi detyrimet kushtetuese për emërimet në kushtetuese. Presidenti zgjodhi anëtare, bashkëjetuesen e një prej drejtuesve të PD, si edhe nuk organizoi ceremoninë e betimit. Argumentet tona, që me ironi Murrizi tha se i kemi tradhtuar, dua të them se të gjitha janë aty në raport të gjetura e të konfirmuara si shkelje dhe tregojnë se qasja e PS është e ndërtimit të shtetit ligjor, ku themel ngelet parimi i ndarjes së pushteteve. Arsyeja e mosshkarkimit të Metës sot është se ne besojmë në ndarjen e pushteteve. Siç respektojmë sot Venecian edhe të enjten respektojmë një sërë vendimesh që çështjet e sistemit zgjedhor ia atribuojnë parlamenteve sovrane”, u shpreh në fjalën e tij z. Balla. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 13:00.