To top
3 Mar

Myslim Murrizi, deputeti antikonformist

Ai padyshim është një ndër deputetët rebelë, realist, antikonformist që ngre zërin sa herë që sheh dhe ndien padrejtësi. Tepër i ri, ai u pozicionua në radhët e Partisë Demokratike ku aderon prej 28 vitesh. Me një karrierë të nisur si deputet, në vitet e vështira 97’-2001”, herë në pozitë dhe hera-herës në opozitë, Myslim Murrizi nuk e brakstisi kurrë të djathtën, parti nën logon e së cilës ngre zërin, në parlament për problemet e elektoratit të Lushnjes, aty ku dhe ka marrë sërish mandatin e ligjvënësit. Në mandatin e tij të dytë ai vjen në një rrëfim pa dorashka, për Partinë Demokratike, liderët e saj, dje dhe sot, të larguarit dhe të ofruarit pa meritë, pranë saj, maxhorancën dhe qeverisjen aktuale, si dhe familjen, dhuratën më të çmuar…

Z. Murrizi prej pak kohë riktheheni  sërish në Parlament, si deputet, si kanë qenë këto muaj intensivë për ju…?

Unë jam rikthyer në parlament pas 16- vitesh, pra kam qenë në vitet 1997-2001, por kjo nuk do të thotë që kam qenë jashtë politikës pasi kam qenë pjesë e saj prej datës 8 dhjetorë  1990-ës.

Të jem i sinqertë shoh një ndryshim të madh mes dy parlamenteve të atëhershëm dhe sot. Atëherë edhe pse kohë rrëmujash në parlament nuk kishte të inkriminuar, trafikant, tutor kontigjent dhe kjo shpjegon dhe faktin se në atë kohë nuk ishte domozdoshmëri ligji për dekriminalizimin e kuvendit.

Ndryshim tjetër është se sot shoh në parlament me shumë të  “punësuar” si deputet, sesa përfaqësues real të qytetarëve dhe zonave konkrete nga vijnë këta deputetë. Shoh njerëz manikin, jo të gjallë, të thatë dhe formal në çfarë flasin në foltore dhe me ndjeshmëri reale zero, për hallet e qytetarëve. Pra është rritur “aktrimi” dhe është ulur ndieshëm përfaqësimi. Kjo falë këtij ligji zgjedhor prej vitit 2009.

Jeni shprehur kundra si forcë politike, e një sërë angazhimeve dhe  nismave të maxhorancës duke mos qenë dakord me ta, si zgjedhja e Kryeprokurores së përkohshme të Përgjithshme, emërimit të disa ministrave…Kryetarit të Kuvendit…?

PD është kundër mënyrës se si u zgjodh prokurorja, e aq më shumë që ajo u zgjodh me 69 vota, por jo kundra emrit konkret. Sa për ministrin Xhafa është turp që një ish- hetues i rregjimit të diktatorit Hoxha, dhe me një vëlla të dënuar në vitin 2014 nga gjykata e lartë italiane, të ketë moral të jetë Ministër i Brendshëm.

Si paraqitet opozita sot, thonë se sa më e fortë të jetë një opozitë aq më mirë punon dhe kritikohet qeverisja, por kjo opozitë është tejet e kritikueshme si nga vetë të djathtët po ashtu dhe nga maxhoranca hera herës?

Opozita sot, si çdo opozitë demokratike në vendet demokratike ka fjalën dhe denoncimin si armën e saj kryesore, dhe unë mendoj që këtë e ka bërë më së miri. Sot pothuajse të gjitha akuzat dhe denoncimet publike të bërë nga PD-ja, prej 4 vitesh janë të pranuara dhe të vërtetuara.

Droga, korrupsioni dhe fukarallëku, si pasojë e korrupsionit tashmë janë para syve të gjithkujt, edhe para atyre që u tallën apo heshtën kur opozita i denonconte.

Kritikët brenda opozitës kanë qenë në Kuvend, nga 2013-2017 dhe nuk folën një fjalë kundra qeverisë se i besuan parimit “mos më ngacmo që të mos ju ngacmojmë”.

Për mua gjendja e sotme e opozitës është pasojë edhe e arrogancës se ish- zyrtarëve të saj, sidomos në mandatin 2009-2013, dhe mllefit ndaj të cilëve qytetarët, por edhe vetë demokratët patën me ta, të rrezatuar me votën kundra apo mospjesmarrjen në votime në vitin 2013. Unë mendoj që ligji zgjedhor ka ndikim të rëndësishëm edhe tek mos besimi i qytetarëve sepse sheh që të zgjedhurit, pasi marrin mandatin humbin kontaktet me qytetarët. Ky ligj, zgjedhor dëmton më shumë PD-në,  sepse të djathtët janë pragmatistë dhe nuk mund t’i rreshtosh dot në rresht ndaj çdo kandidati që nuk ka asnjë lidhje me ta.

Mjaft emra të njohur, personalitete nga e djathta mbetën jashtë parlamentit, duke u zëvendësuar pse jo me figura të rinjsh, pa ndonjë meritokraci apo eksperiencë, cili është opinion juaj?

Së pari në politikë dhe në jetë nuk jemi të përjetshëm, ndaj nuk duhet menduar se kur jemi ne është mirë puna, po nuk jemi ne, nuk është më. Ky është mentalitet komunist që diktatorët mbiellin për veten te qytetarët aq sa kur vdes diktatori mbajnë zi e qajnë dhe ata që janë dhunuar nga diktatori. Meritokracia duhet të jetë baza e karrierës politike dhe lista e deputetëve të PD-së, apsolutisht që duhet të ishte më e mirë, me përfaqësuese dhe më pranë qytetarëve dhe elektoratit të djathtë. Por, idealja nuk ndodh kurrë se është sa utopike aq edhe subjektive. Ajo që unë shoh me habi se më shumë si të indinjuar janë këta që erdhën vetë tek PD-ja,  pa asnjë kontribut dhe meritokraci, por duke ju zënë vendin të tjerëve dhe sot bërtasin për meritokraci.

Brenda grupit të PD-së,  ka deputet që po të jenë në votim të drejtpërdrejt nuk fitojne as për kryepleq, por difekti për mua është ligji zgjedhor, i cili stimulon servilët dhe hipokritët, manikinët dhe monotonët fallco, pa shpirt.

A  e mendoni të vështirë ardhjen në pushtet me këtë  opozitë ?

Në pushtet PD-ja,  duhet të vij si alternativë për një qeverisje ndryshe, në të mirë të qytetarëve, jo si ndërrim emrash apo hajdutësh. Sot, janë një palë dhe nesër të vijnë një palë të tjerë. Personalisht nuk jam tek ata individë që shoh pushtetin, si qëllim në vetvete të opozitës.

Nëse do të kishim një qeveri më të mirë se ajo e viteve 2005-2013 dhe qytetarët do jetonin më mirë, le të qeveriste Rama me PS-në. Opozita duhet të vij në pushtet me vullnet të qytetarëve dhe falë programit dhe individëve më të mirë, e më dinjitoz se këta që janë në pushtet. Unë nuk i përkas atyre njerëzve që mendojnë vetëm për karrige apo për t’u rehatuar e pasuruar nga taksat e qytetarëve në sajë të ardhjes në pushtet. Unë nuk kam qenë pjesë në asnjë cep të pushtetit në vitet 2005-2013 dhe nuk kam menduar që u bë qameti. Madje kam 21 vjet në opozitë nga viti 1996.

Cilat janë pikat më emergjente që duhet ndërhyrë në mënyrë që t’i shërbehet vendit dhe mirëqënies së popullit, flitet për një krizë ekonomike, korrupsion, shëndetësi skandaloze, papunësi të madhe…?

Ekonomia është rrënuar nga korrupsioni. Ne si vend ngjitemi përsëri për vitin 2017-të,  tetë numra në tabelën e korrupsionit sipas raportit të TI, pra nga vendi 83 që ishim sot jemi në vendin e 91. Droga krimi dhe implikimi i strukturave shtetërore që kanë për detyrë luftën ndaj tyre, në këto fenomene janë problem serioz që ndikojnë direkt në vrasjen e shpresës dhe largimin e mbi 300 mijë shqiptarëve për dy vjet drejt azilit.

Politika fiskale është mbytëse për biznesin. Arbitrariteti i administratës dhe korrupsioni që është bërë modë brenda saj, është një problem madhor në këtë vend. Asgjë nuk bëhet pa vullnet politik dhe pa qeveritarë e zyrtarë të pa korroptuar, ndryshe ky vend do të bëhet edhe më keq.

 

Çfarë mendoni se mund të ndryshojë në kodin zgjedhor, jeni shprehur që deputetët do të ishte mirë të votohen direkt nga votuesit?

Për mua ky ligj elektoral ka dështuar. Qëllimi për të cilën u bë, gjoja për të rritur klasin e përfaqësueseve, jo vetëm që dështoi, por falë këtij ligji u mbush kuvendi me kontigjent trafikant vrasës e hajdut ordinerë. Ky ligj ka ulur përfaqësimin, i ka shndërruar deputetët nga përfaqësues të qytetarëve në servilë të kryetarëve. Ka rritur korrupsionin dhe zhdukur meritokracinë sepse ka shtuar në Kuvend numrin e biznesmenëve, milionier që nuk kanë asnjë kontribut, në politikë apo asnjë lidhje me elektoratin që gjoja përfaqësojnë, ndaj dhe dyshimi se kanë marrë mandatin me pagesë është i besueshëm. Kemi deputet që nuk i njeh pallati ku jetojnë, njerëz pa integritet politik, aparatçikë të rëndomtë që ju duket vetja si “koka të mëdha”,  falë servilit që i bëjnë kryetarit. Unë jam për sistem të pastër mazhoritar ose ky që është, por me lista të hapura që kanidatët t’i caktoj kryetari, por deputetët t’i zgjedhi qytetari. Do të shihni që këta “manikin” që ju vrasin sytë çdo ditë, nëpër ekrane si dijetarë dhe politikanë të rëndësishëm, nuk keni për t’i parë më as në Shqipëri se do të ikin nga kanë ardhur. Kjo do të ishte mirë edhe për ato ishat që ju pyesni me të drejtë që janë të mërzitur. Le të futen në garë dhe po i votuan demokratët dhe qytetarët le të jenë aty derisa të vdesin.

Ju jeni njëkohësisht dhe kryetari i degës së Partisë Demokratike të Lushnjes, si paraqitet gjendja në zonën tuaj, problemet që banorët hasin e që ju me të drejtë i ngrini hera -herës?

Lushnja fatkeqësisht është parë me syrin e njerkës nga politika. Është trajtuar si rreth i dijes, së fundit dhe është shndërruar si fshat i madh i Fierit apo i Vlorës. Asnjë institucion nuk është më aty, qytetarët duhet të venë në Fier apo Vlorë për një vulë. Si rreth bujqesorë janë të falimentuar nga politikat grosiste të qeverisë. Bujqësia pa asnjë përkrahje. Në buxhetin e vitit 2018 asnjë lek investim i planifikuar për të dyja bashkitë e rrethit (Lushnje dhe Divjakë). Më keq nuk ka si bëhet, ndaj dhe një numër shumë i madh qytetarësh nga ky rreth mësyjnë në emigracion dhe për azil.

Ligji i dekriminalizimit për pastrimin e figurave të pastra në parlament si po funksion?

Ligji i dekriminalizimit për mua ishte një turp për të gjithë politikën sepse jemi i vetmi vend në Europë e më gjerë që na lindi nevoja, për të përzënë me ligj ekstra banditët nga kuvendi, mirëpo pa nxjerr asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale ndaj atyre që i futën këta banditë në kuvend. Unë mendoj që ka prap banditë në kuvend. Ndërsa ligji për pastërtinë e figurës  nuk ka dhënë efekt dhe është ligj që duhet ndryshuar patjetër. Kemi mbi 30 deputet ish – spiunë të sigurimit, që vazhdojnë të dërdëllisin si baballarë të kombit.

Jeni shprehur dhe për  diegie mandatesh duke mos qenë dakord me maxhorancën dhe vendimet që ajo ka ndërmarrë edhe pa votën tuaj…?

Diegia e mandateve nuk ka qenë as nismë e as vendim për tu diskutuar në grup. Në pluralizëm dhe demokraci qoftë edhe formale si kjo e jona mandatet e opozitës nuk janë titull privat, por janë vullnet i atyre që nuk janë dakort me qeverinë. Çdo shmangie apo braktisje është e dëmshme jo vetëm për  PD-në, por edhe për vendin. Disa pseudoradikal që kërkonin për show, diegie mandatesh kishin hipokrizi ekstreme në qëndrime. Unë mendoj që ndër gabimet që i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë, e do ti kushtojnë jo pak PD-së, por dhe Shqipërisë ishin mos pjesëmarrja në reformën territoriale si dhe mos pjesëmarrja më potenciale konkrete njerëzore edhe tek organet e reformës në drejtësi si dhe tek organet e vetingut. Mospjesëmarrja është dobësi dhe për këtë fajin e kanë  servilët që kanë bërë mendjen e ndritur dhe këshilltarin ligjor apo politik tek PD-ja. Politika është betejë dhe kompromis, nuk është bixhoz dhe braktisje. Në politikë kush thotë KURRE, nuk fiton kurrë, ndaj me  shumë  shqetësim shoh boshllëkun që kemi lënë në emër të 500 mijë shqiptarëve që përfaqësojmë në ditën më të keqe si opozitë tek çdo institucion balancues apo qeverisës. Ky shqetësim është  ngritur në grupin parlamentar, jo vetëm nga unë por edhe nga disa kolegë të tjerë, dhe përgjegjësia bie direkt mbi ata që kanë rekomanduar shmangien.

Lideri i Partisë tuaj Z. Lulëzim Basha çfarë vlerësoni tek ai?

Basha ka një qasje tjetër në të bërit politikë dhe opozitë, kjo falë moshës, shkollimit, dhe temperamentit. Në 100 vitet e fundit vetëm Xhorxh Bushit i ngjau një djalë pasues në politikë, ndaj kur nuk të ngjajnë fëmijët nuk ka asnjë shans të ngjajnë zëvendësuesit në politikë qeveri apo administratë. Militantët kërkojnë opozitë përplasje në terren, koha dhe rrethanat nuk jane siç kanë qenë. PD ka patur një lider për 23 vjet me tjetër profil dhe temperament, sot ka tjetër filozofi drejtimi nga lideri i ri. Unë kam 28 vjet në politikë dhe PD dhe i njoh të dy, si Z. Berisha dhe Z. Basha.

Ndryshimi që unë vërej është që Z. Basha duhet të jetë më shumë vendimarrës dhe më kontaktues i drejtpërdrejt me demokratët, me faktorët real dhe kontribuesit konkret të PD-së, pra të shoh më shumë punën kontributin dhe vlerat e individëve që drejtojnë PD-në, nga seksioni deri në kryesi sesa tu besoj servilëve aparatçikëve, sms dërguesve apo administratës brenda selisë së PD-së. Basha duhet të drejtojë partinë me dorë të fortë brenda statutit të saj dhe të rrisë përgjegjësinë e anëtarësisë së PD-së duke bërë të mundur që të gjithë të zgjidhen nga parimi, një anëtarë një votë siç është zgjedhur dhe ai vet. Nuk ka pse mban figura artificiale që nuk kanë asnjë impakt pozitiv për antarësinë dhe më gjerë. Nuk duhet të përpiqet të ruaj në mënyrë artificiale raporte përfaqësimi në asnjë strukturë të PD-së. Këtë raport më mirë se kushdo e zgjidh vota e antarësisë. Kam bindjen që vota eleminon çdo individë të panevojshëm brenda selisë, por dhe brenda drejtimit të PD-së. Kush ikën nga vota vjen dhe mbanë radhën për tu rikthyer me votë duke punuar.

A këshilloheni shpesh, a është i hapur për sugjerime dhe këshillat tuaja?

Basha këshillohet ndoshta më shpesh se çduhet. Madje  nëse do të evidentoja një difekt të Bashës është këshillimi me njerëz që nuk kanë çfarë të japin si këshillë dhe këshillimi më shumë se çduhet kur në fakt duhet të marrë vendimet vetë. Ka mandatin e 90 përqind të antarësisë ndaj duhet të drejtojë në emër të tyre. Nuk mund të vendosësh asnjëherë nga këshillat e teknicientëve në politikë. Opozita dhe politika ndryshojnë shumë nga qeveria dhe administrata sipas mendimit tim.

Por për ish- liderin, Sali Berisha çfarë mund të na thoni ?

Për liderin, Berisha më shumë se unë flet historiku dhe karriera e Tij, prej 28 vitësh. Jo më kot thashë pak më lart se ne shqiptarët kërkojmë ngjashmëri, mes udheheqësve ose të jenë identik me dikë që jemi mësuar prej shume vitesh. Berisha është tjetër dhe Basha është tjetër, në të gjitha kuptimet drejtuese, politike, individuale dhe në temperament.

Disa vite keni qenë larg politkbërjes si ka qenë kjo kohë për ju, me se jeni marrë?

Siç e thashë prej vitit 1996 kam qenë në opozitë. Nga viti 2001 kur nuk isha më deputet jam marrë me punë private. Nga viti 2006-2014 kam qenë aksioner në Universitetin “Justiniani i I“-rë, jam aksionerë në një kompani ndërtimi me një kushëri timin, prej vitit 2008-ës,  por asnjë tender nga të dyja qeveritë nuk kemi marrë. E them këtë jo se është krim të marrësh tendera, por që të legjitimoj atë që thashë pak më parë, që jam 22 vjet në opozitë. Edhe pse kemi një volum punimesh shumë më shumë se kompani, që kanë marrë qindra milion euro, tendera pa patur asnjë mjet apo zyrë, ne kemi ndërtuar vetëm apartamente me të ardhurat nga biznesi jonë. Nuk do ishte keq të kishim marrë ndonjë konçension apo tender por nuk zbatonim dot siç duket “rregullat”, por prap ndihem shumë mirë kështu. Nuk jam i pasur, por as i varfër nuk jam. Jetoj normalisht dhe shumë i qetë nga reforma në drejtësi. Nuk shoh me ankth lajmet se kush drejtor u arrestua apo kush ministër u thirrë në prokurori, se nuk joh askënd që mund të kem “ frikë” se po më nxjerr emrin edhe mua gjatë hetimeve.

Diçka mbi familjen tuaj,  di që keni dy fëmijë të rritur çfarë rruge janë duke ndjekur ata?

Familja për mua është dhurata më e shtrenjtë që më ka bërë i madhi zot. Pasuria më e madhe që kam është familja ime. Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Një vajzë dhe një djalë.

Vajza vazhdon studimet në vit të dytë në Fakultetin Ekonomik, dega financë ( Universiteti Shtetëror), ndërsa djali është nxënës në klasën e 7-të. Për mua si qytetarë, si njeri dhe si politikan aq sa mund të quhem apo jem, familja është baza e çdo shoqërie. Vitet kalojnë pa e kuptuar dhe ndoshta, asaj që i kam ngel më shumë borxh në këto 23 vjet është familja, sepse politika na ka marrë më shumë kohë  pa e kuptuar, dhe fëmijët rriten. Vjen një ditë dhe kjo më duket se vjen shumë shpejt, që kur ti kërkon të rrish me fëmijët, ata nuk kanë shumë qejf të rrinë më me ty, dhe fillon nga malli, të ndiesh veten fajtorë për çfarë ke bërë jo mirë gjatë jetës. Mirëpo kjo nuk kthehet më mbrapa, ndaj kjo është “një e keqe” po ta quaj kështu të angazhuarit në politikë.