To top
2 Tet

Ndahet nga jeta parakohe albanologu Robert Elsie, amaneti: Dua të prehem në Shqipëri!

Kultura shqiptare është sot në zi. Robert Elsie, albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur u nda sot nga jeta në moshën 67-vjeçare. Elsie është autor i shumë librave dhe artikujve që kanë pasur në fokus çështje që lidhen me gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Shkrimtarja e njohur, Flutra Açka, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka bërë të ditur dhe amanetin e fundit të Robert Elsie, i cili ka kërkuar të prehet në Shqipëri.

Ajo i ka kërkuar ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që ta bëjnë të mundur një gjë të tillë dhe me të gjitha nderimet që i takon.

Nga Flutura AÇKA

Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë pasur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!