To top
14 Gus

Në rrugën e mundimshme të artit

artur me luanQë nga mugëtirat e kohrave e deri më sot artistët e kanë dëshmuar se krijimi është një udhë e gjatë, e vështirë dhe e mundimshme, një paralel si i Sizifit në rrugën e ngjitjes, ku duke prishur atë që sapo ka krijuar, duke rindërtuar nga e para, për të mishëruar sa më mirë idenë e tij, apo frymëzimin fillestar, artisti, ndryshe nga Sizifi, më së fundi e arrin. Madje shumë artistë i kanë krijuar veprat e tyre të mëdha gjatë përpëlitjesh e vuajtjesh të mëdha. Këtë na e dëshmon jo vetëm jeta e Caravagio-s, Van Gogh-ut e shumë të tjerëve, por dhe e artistëve nga më të rinj, që të kapur në hallkat dërmuese të jetës, fatit, arrijnë të na japin ndriçime të fuqishme e vepra që lenë gjurmë në gjeneratën e tyre, madje dhe duke i kapërcyer këta kufij. «Krijo e shkatërro, për të krijuar diçka më të mirë!» Eshtë një thënie e vjetër e Picasso-s, por duke bërë radiografinë e veprave të mëdha të Renesancës, shikon se kjo ka ndodhur shpesh me veprat e gjenive. Nën një peizazh është fshehur një trup njerëzor; një trupi i ka mbetur vetëm koka dhe e kundërta… konture ndërtesash janë zhdukur për të vendosur aty një odalisk. A thua kjo rrugë e mundimshme e cfilit artistin aq sa ta lerë atë të raskapitur, pa frymë, të plagosur, herë-herë dhe në rrugët e mërgimit, me dëshirën për ta rifilluar veprën personale të tij?

Artur Muharremi është një mjeshtër i vizatimit. Duket se është ai që e ka çuar dhe e çon atë gjithnjë drejt kavaletit, ngjyrës, portretit, kompozimit, çka e bën atë të përjetojë një lloj dehje, “transi”, edhe pse kulminacioni i artit të tij mbetet vizatimi. Ç’është vallë krijimi për të? A është ai çka ndjejmë ne spektatorët e thjeshtë të veprës së tij, vepra këto të ekspozuara gjithnjë me dyshimin nëse vepra është e arrirë apo jo dhe nëse ajo do të arrijë të trazojë shpirtrat njerëzorë? “Proçesi krijimit, – thotë Muharremi, – është një lloj remineshence, janë situata të përjetuara në një dimension perceptiv të një lloji tjetër, një grumbullim intensiv rreth qendrës dhe i gatshëm për shpërthim nëpërmjet subkoshiencës.Proçesi i krijimit është një mister edhe për vetë krijuesin, ndodh që ndonjëherë ky imazh i mbushur me këto botë, jetë, personazhe, të vjen shumë i qartë që në momentin e parë, saqë ti nuk e kupton se çfarë ndodhi, sesi u ngjiz ai në telajo. Vetëm pasi ke lënë penelat, thjesht ti qëndron përpara tij duke e soditur në një gjendje transi… Herë tjetër të vjen në formën e një njolle, e cila merr dalëngadalë formën e asaj që ti do të shprehësh… Në një moment tjetër, mund të rrish me orë të tëra para telajos së bardhë, me shikimin e ngulur në të, dhe të mos i prekësh fare penelat, sepse ajo gjë që ti kërkon në atë moment nuk është aty… por nuk prish punë, e rëndësishme është që ti të jesh i gatshëm për atë moment…

Labirintet e krijimit janë të shumllojshme nga një artist te tjetri dhe përjetimet po ashtu. Sigurisht, shumë herë kam qëndruar gjatë ballë telajove të tij të mbaruara dhe të nesërmen i kam rigjetur të prekura, të ndryshuara. Me një fjalë, artisti nuk kishte shkuar gjer në fund të frymëzimit dhe mishërimit të imagjinatës së tij.

Muharremi është gjithnjë në kërkim. Jo vetëm në tematikë por dhe në mënyrën e shprehjes, stilit, gjuhës simbolike, duke ruajtur gjithnjë elokuencën dhe fuqinë e xhestit të parë në letër apo në pëlhurë. Ai kërkon herë për të gjetur një treg për krijimet e tij, çka ndodh shpesh me të gjithë artistët dhe shkrimtarët, (ku arti është dhe mjeti i jetesës) e herë duke udhëtuar në horizonte të tjerë, duke harruar nocionin e kohës për të gjetur atë çka deri tanimë nuk e ka gjetur. Eshtë vallë arti i përkryer, perfeksioni, mishërimi absolut i imagjinatës…? Dhe kështu, sipas gjendjes së tij, ai kërkon linja të tjera, rrëmon nëpër ngjyra, duke u dhënë pas gjetjeve të reja. ”Ngjyra të preferuara nuk kam dhe ato nuk i krijoj unë, – shton Muharremi, – ato kanë një lloj “indipendencë” rrebele dhe shkojnë vetë në vendin e duhur, në varësi të temës apo gjendjes në të cilën ndodhem në atë çast… ngjyrat janë thjesht, pasqyrimi kalendarik i periudhave të ndryshme shpirtërore… ndërsa temat apo lënda në pikturën time, nuk është spontane, ajo ka të bëjë me “përse-të” e ekzistencës së unit njerëzor, dhe shqetësimeve të mija personale rreth qenies time në këtë hapësirë ku thith këtë oksigjen.Vepra e artit nuk duhet të flasi për atë çka ti shikon, por për atë çka fshihet mbrapa saj; misioni i artit dhe i artistit nuk është të imituarit mekanik i natyrës, sepse këtë kryevepër e ka krijuar dikush tjetër, dhe artisti do të bjerë në plagjiaturë ndaj këtij krijimi, por duhet ta interpretojë atë nëpërmjet unit të tij krijues…”

Ja pra shqetësimi i artistit: origjinaliteti. Dhe kjo padyshim është e vështirë në këtë botë ku kanë lëvruar e lëvrojnë miliona artistë. E megjithatë, kufijtë e artit janë pa limit… Tablotë që më kanë impresionuar gjithnjë kanë qenë ato të “shpërbërjes”, një peizazh njerëzor, i shpërfytyruar, nga ajo çfarë ka ndodhur në shoqërinë shqiptare (analogji në rikonstruksionin shpirtëror dhe të popujve të tjerë), ku bashkë me fitoren e lirisë personale, artisti përjeton një kaos shpirtëror, një kaos të mjedisit që e rrethon, të peizazhit vetë: konture shtëpish në ajër, një kohë gri dhe imazhe “flu”… Ç’janë vallë këto qytete me banorë të larguar. Ku kanë shkuar ata? Në mërgim? Udhëve të largëta që humbasin tutje me një dëborë dhimbjeje e malli?… “Qytetet që unë ndërtoj nuk janë objekte banimi, janë objekte kulti është ajo gjë që njeriu ka nevojë të besojë, ajo që është përtej perceptimit të tij të zakonshëm, normal. Brenda këtyre objekteve njeriu kërkon një dimension tjetër, kërkon një përgjigje për ekzistencën e vet, kërkon ekuilibrin, por në tablotë e mia këtyre objekteve u mungon graviteti. Ato janë në ajër, duhet të fluturosh, të hidhesh për të kapur atë pikë referimi. Duke e zëvendësuar dritën e diellit, apo të hënës, me një gur zari, kthej dritën apo ndriçimin shpirtëror në dritë dhe objekt material, duke ç’kodifikuar kështu kodin E për t’i dhënë prioritet kodit F, por duke e ruajtur esencën në ndërtimin struktural të tablosë. Figura njerëzore e fashuar është produkt dhe një lloj dëshmie e mbetjes së ekzistencës sonë, ajo nuk është gjë tjetër veçse një kujtim, një dëshmi, një “unë” i humbur i ngulur thellë në subkoshiencën tonë…”

Në gjithë këtë përpëlitje ekzistenciale plot dhimbje e ekstazë krijuese, piktori ka dëshirë të shlodhet. Herë-herë, për Muharremin janë “nature morte”, fruta, plot shegë, mollë, rrush, aroma e të cilave ndjehet dhe përtej tablosë, por shpesh janë nudot e dashura të tij, prej të cilave duket se e ka të vështirë të largohet, nudo në gjendje të lirë, të paqtë, sensuale, dhe jo dramatike, nudo, që shpesh kanë të kuqen si një simbol hyjnor, pasi që tek popujt antikë apo dhe në mesjetë, e kuqja është një përzjerje sensualiteti, diviniteti, gjaku e zjarri… Duhet të shohim gjithashtu afresket e Pompeit për të kuptuar akoma më shumë të kuqen në nudot e tij… E megjithatë ngjyrat te ai janë shpesh kontraste të forta, siç janë ato të së kuqes dhe jeshiles, etj, çka na risjell në mendje mënyrën si i konceptonte ngjyrat Van Gogh: ”Në vend që të riprodhoj ngjyrat ashtu siç i kam para syve, – i shkruante ai të vëllait Théo, – unë i përdor ato në mënyrë më arbitrare që të mund ta shpreh vetveten akoma më me forcë…” Muharremi duket se nuk e harron dhe porosinë e Kandiskit në veprën e tij “Du spirituel dans l’art” ku ai theksonte se “ngjyra është një mjet për të influencuar drejtpërdrejt mbi shpirtin…”Sidoqoftë, duke parë krijimtarinë e këtij piktori gjatë një periudhe prej tri dekadash dhe duke veçuar shpërthimin e tij të guximshëm në vitin 1990, pikaset ndërkohë një evolucion i përhershëm në kërkime të reja. Dhe ky kërkim i vazhdueshëm, herë estetik e herë utilitar, na shpalos tablo origjinale, por padyshim vepra e tij më e mirë e deritanishme duket se është realizuar në dhjetvjeçarin e fundit, veçanërisht në Tiranë.