To top
2 Maj

Psikiatri i famshëm italian: Burrat kanë mbetur spurdhjakë

Vittorino Andreoli është një psikiatër me famë botërore që ka vendosur të jetojë në vetmi. Shumë rallë shfaqet në TV, nuk preferon vëmendjen dhe ka vendosur të shkruajë në internet, ku tashmë numëron qindra mijëra ndjekës. Psikiatri 78 vjeçar ka punuar në Milano, Britaninë e Madhe dhe në Harvard, në SHBA. Libri i tij i fundit, i titulluar “Zhurmët e fjalëve” është një elogji ndaj një prej periudhave më të vështira të jetës, pleqërisë.
Pak kohë më parë Andreoli prezantoi punën e tij në një intervistë për prestigjozen “Corriere della Sera” ku fliste së pari për pleqërinë. “Pleqëria është e bukur sepse nuk është e lidhur më me performancën. Nuk ka nevojë ti tregosh asgjë askujt. As që mendohet që një burrë është për ta flakur tutje edhe nëse është i prishur, apo një grua qoftë edhe nëse nuk ka njërin gji.”
Andreoli sot është gjysh, ai ka 3 vajza të diplomuara shkëlqyeshëm dhe 5 nipër e mbesa. Ai ka jetuar gjithnjë mes grave, është i martuar prej 50 vitesh me një psikoanaliste frojdjane dhe në këtë intervistë analizoi paksa ndryshimet e raportit mes gruas e burrit në shoqëri. “Duhet kuptuar domethënia e gruas, kënaqësia për ti dhënë gruas dhe për të marrë prej saj. Përndryshe do të mbetemi fëmijë përgjithmonë. Gruaja ka ecur përpara shumë. E kunderta është se burrat kanë mbetur spurdhjakë të vegjël. Nëse duam të ndryshojmë, duhet të ndryshomë së bashku”.
Në një konferencë të organizuar nga policia italiane vitin e kaluar, professor Andreoli e quajti të sëmurë një shoqëri që ushtron dhunë nda gruas.
“Deri sa të mos respektohet gruaja, do të kemi një shoqëri me l’Alzheimer, pra një shoqëri të sëmurë”-shprehej profesori i cili vuri në dukje se ndryshimet që ekzistojnë mes burrit e gruas nuk do të thonë të drejta të ndryshme. Përkundrazi kanë të njëjtat të drejta dhe janë plotësues të njëri tjetrit. “Një diversitet që krijon bukurinë e dashurisë, një diversitet që gjen harmoni në plotësimin e njëri tjetrit. Me kalimin e kohës, gratë kanë mësuar si të afirmohen dhe të ndërgjegjësohen, ndërsa ndodhen përballë 40 vjeçarëve spurdhjakë që kanë mbetur në vend”.