To top
7 Jan

Qytetet e së ardhmes, qytete fleksibël

Për shumë kohë qytetet nëpër të gjithë botën nuk e kanë vlerësuar siç duhet impaktin e tyre mbi çështjet globale. Por ndryshimet klimaterike po e ndryshojnë këtë mendësi.
Qytetet “e pjekura” mund të adaptohen, ndërkohë që qytetet e reja mund të projektohen që në fillimet e tyre për të qenë fleksibël dhe t’u përshtaten kushteve të veçanta klimaterike.
Ekziston një kor i vazhdueshëm zërash që po na thërrasin për t’u bërë të vëmendshëm, kur vjen puna për të zgjidhur ndryshimet klimaterike. Ky kor udhëhiqet nga disa pjesëtarë të ashtuquajtur të dyshimtë. Janë pikërisht bizneset dhe korporatat kryesore rreth e rrotull botës, të cilat, të mbështetura nga World Economic Fund/Fondi Botëror Ekonomik dhe UN/Kombet e Bashkuara, janë në krye të reduktimit të efekteve serë, të konsideruara rrezik i madh për biznesin dhe për kushtet ekzistuese të operimit.
Ndryshimet klimaterike janë risqet e ambientit dhe vijnë me një çmim. Natural Capital Coalition/Koalicioni i Kapitalit Natyror vlerëson koston vjetore në ekonominë globale të efekteve serë mbi ndotjen dhe dëme të tjera të shkaktuara nga industria që arrin rreth 7.3 trilionë dollarë. Ky risk ekziston dhe është në rritje. Ai është risk që po i bën mendjet e ndritura të fokusohen. Thomas Steyer, Michael Bloomberg dhe Henry Paulson Jr kanë vendosur ta quajnë studimin e tyre për koston ekonomike të ndryshimeve klimaterike në Shtetet e Bashkuara “Risky Business” (Biznes i rrezikshëm).
Një pjesë e arsyes për këtë shtytje është ritmi i dukshëm i ndryshimeve globale. Ekzistonin 1 miliard anëtarë (njerëz) të shtresës së mesme globale në kthim të mileniumit. Kjo do të thotë 1 miliard njerëz që shpenzojnë 10 deri në 100 dollarë në ditë. Në vitin 2013 ky numër është dyfishuar dhe më 2030-n do të arrijë 5 miliardë.
A mundet planeti ynë të përballojë pritshmërinë dhe zakonet e konsumit të këtij grupi të ri? Urbanizimi e intensifikon sfidën dhe sot, më shumë se gjysma e popullsisë botërore jeton në qytete. Në dy dekadat e ardhshme 2 miliardë më shumë njerëz do të lëvizin në qendrat urbane. Kjo do të sjellë një rritje të konsiderueshme në Kinë, sipas McKinsey, dhe popullsia urbane në vitin 2030 do të arrijë atje në 1 miliard. Dhe ky shpërthim nuk do të kufizohet vetëm tek Azia Pacifike, por dhe në Afrikë, ku 1.3 miliardë banorë do të jetojnë në qytete.
Qytetet janë qendra të fuqishme politike, ekonomike dhe kulturore dhe ato shndërrohen në magnete të klasave me mirëqenie në rritje. Për pasojë, këto klasa praktikojnë disa zakone konsumimi që vijnë në rritje. Ekziston një konsensus, i cili tregon se qytetet janë pjesë e problemit. Është e vërtetë se ato janë në front të ndryshimeve klimatike, dhe se në to llogaritet që çlirohet 80% e gazeve serë globale dhe shpenzohet 66% e energjisë botërore.
Por urbanizimi dhe lidhja e këtij fenomeni me ndryshimet klimaterike nuk është vetëm risk – një rrezik. Këto qytete patjetër janë pjesë e zgjidhjes dhe ka mundësi përshtatjeje.
Ekziston një çmim prej 340 miliardë dollarësh në tregun global për inovacionet urbanistike që janë ofruar deri në vitin 2030 dhe është një treg që sapo ka filluar të hapet.
Shumë qytete po zgjohen dhe po kuptojnë që u duhet të punojnë ndryshe. Një komunikim i shëndetshëm rreth “adaptimit” po pluskon. Raporte nga Intergovernmental Panel on Climate Change/Paneli Ndërshtetëror i Ndryshimeve Klimaterike, i cili është një trup i pavarur shkencëtarësh nga e gjithë bota, tregojnë për një tranzicion drejt shndërrimit të qyteteve me fleksibilitet kundrejt goditjeve dhe tendosjeve në të ardhmen.
Meqenëse mirëqenia jonë në të ardhmen varet se si zhvillohen qytetet, shumë qytete dhe biznese po shohin se si mund të përballen me këto ndryshime dhe të adaptojnë këtë mendësi të re. Tradicionalisht, zhvillimi urban shumë pak e ka vënë re impaktin e tij në rrafshin global. Planifikuesit u fokusuan më shumë në impaktin lokal. Por tani që po jetojmë në një botë të globalizuar, çështjet globale janë lokale dhe ato lokale janë edhe globale. Konkurrenca në tregun global u sugjeron qyteteve se duhet të balancojnë lulëzimin ekonomik me impaktin që krijojnë në ambient.
Të menaxhosh një fakt kompleks si ky, nevojitet një “city system approach”, qasje e bazuar në sistemin e qytetit. Kjo do të thotë që planifikuesit e qyteteve, bizneset dhe mendjet e qytetit të punojnë së bashku, duke e parë çdo qytet si një grup konstelacioni sistemesh dhe bashkëpunimesh për të menaxhuar këto sisteme në krijimin e një impakti pozitiv.
Në këto zhvillime nuk është vetëm kjo sa u tha më sipër. Për t’u informuar mbi këtë qasje të re ekziston një “shkencë e qyteteve”, që ndihmon bashkëpunëtorët për të kuptuar si funksionojnë qytetet në çdo grimcë, duke i marrë sfidat e implikuara dhe duke i zgjidhur ato.
Britania e Madhe është lider në këtë fushë, duke u shndërruar shpejt në një nga qendrat më të mëdha të mendimit global dhe partneriteteve në inovacionin urban. Një raport i fundit nga Future Cities Catapult/Lançimi i Qyteteve të së Ardhmes zbulon një grup kryesor botëror të ekspertëve të krijuesve të qyteteve, vlera e të cilit është 16 miliardë pound dhe ka punësuar qindra dhe mijëra profesionistë.
Për një shtet të vogël, ky është një koncentrim i jashtëzakonshëm ekspertësh. Jo vetëm bizneset, por institucione të kërkimi të klasit botëror, autoritet e qytetit dhe iniciativat qytetare të gjitha së bashku kontribuojnë në sistemin ekologjik.
Ky grup po shkon përpara tashmë me filozofinë se duhet të mendojmë së bashku, i nevojshëm për të shndërruar riskun në avantazh dhe mundësi. Ndryshime të mëdha dhe të pashmangshme janë në horizont dhe qytetet janë në zemrën e mënyrës se si do të zgjidhen këto ndryshime. Qytetet i kanë mjetet tashmë për të planifikuar dhe vepruar, kanë mundësi për të qëndruar kompetitivë dhe për të ndërtuar fleksibilitet. Bizneset gjithashtu, në qoftë se duan t’i japin formë duhet të marrin pjesë dhe të kenë fitim nga një treg në lulëzim.
Dhe ja ku qëndron puna: ku ka risk, ka mundësi. Një sistem i tërë i ri ekologjik duhet të dalë me një mendësi aktive, me një domosdoshmëri dhe gatishmëri për të punuar së bashku. Çmimi është i konsiderueshëm: jetë më e mirë, biznes më i mirë dhe një planet më i mirë.
Sir David King është sekretari i jashtëm, përfaqësues special për ndryshimet klimaterike në Future Cities Catapult, Lançimi i Qyteteve të së Ardhmes.
Përgatiti dhe përktheu nga anglishtja
Jona F. Kuka
Foto:
Liderët botërorë, të cilët muajin e shkuar morën pjesë në samitin e Kombeve të Bashkuara, në zyrat qendrore në Nju-Jork.
Një ekran i madh, i cili tregon qiejt blu në mes të smogut në Pekin.