To top
19 Shk

Ruzhdi Stringa, gjuhëtari përtej aziatikut

 

 

Ruzhdi Stringa është një prej profesorëve të shquar të Gjuhës Shqipe, i vendosur në Universitetin e Gjuhëve të huaja në Pekin, prej disa vitesh. Në një rrëfim përtej kontinentit aziatik, Stringa  sjellë copëza jete, jo vetëm në përhapjen e gjuhës shqipe tek të rinjtë kinezë, por dhe jetën e tij në Kinën e largët me dy djemtë dhe bashkëshorten…

 

 

Profesor Stringa udhëtimi juaj i fundit në Shqipëri ishte para pak muajsh si kaluat?

Fillimisht të falënderoj që gjetët kohën për t’iu përshtatur ecejakeve të mija të vazhdueshme sa herë vij me pushime në Shqipëri dhe arritët të më takonit për këtë intervistë që më së shumti po e marr si një bisedë ku jo vetëm do të jap, po edhe do të marr informacion…

Po, këtë verë zgjodha të vij dhe ta kaloj periudhën time të pushimeve kryesisht në Tiranë. Pati disa arsye kjo zgjedhje: koha kalon pa kuptuar (Babai qe plakur. Nëna po ashtu – shprehet F. Kongoli në romanin e tij me tematikë nga Kina) dhe vjen një çast që ti kupton se ke nevojë qenësore për prindët, origjinën dhe gjithçka që nuk e ke në cilindo vend që të jesh, nga ana tjetër, kupton se fëmijët, duke u rritur në një mjedis shumëkulturor, duan natyrshëm të rrëfejnë, atje ku janë, veçantinë e tyre…

… po kaloj pikërisht duke bërë ç’të mundem në këto drejtime që përmenda. Pra, në përgjithësi, mirë.

Di që prej vitesh ju jeni vendosur në Kinën e largët, në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, mund të më thoni ç’ju shtyu të vendoseshit aty dhe si erdhi ky  largim?

Kjo është një histori e gjatë dhe më vete që fillon si një aventurë dhe mbaron me normalitetin që të ofrojnë rrethanat. Po përpiqem ta tregoj shkurt. Në vitin shkollor 1995-1996 unë shkova atje si i përzgjedhur nga një konkurs për një pedagog të gjuhës shqipe në Kinë, që u zhvillua Ministrinë e Arsimit të asaj kohe. Ministria e kishte marrë këtë kërkesë nga Universiteti në fjalë i Pekinit dhe ua shpërdau universiteteve në Shqipëri. Unë, në atë kohë, isha pedagog në Universitetin e Elbasanit dhe vendosa të konkurroj duke menduar se, nëse fitoja, ai vit pune jashtë vendit do të më bënte mirë, sidoqoftë. Puna erdhi që unë fitova (nuk përjashtoj, në këtë përzgjedhje, opinionet pozitive që mund të kenë shkuar në atë dikaster, të cilat i pata fituar me punën time) dhe atë vit shkollor punova si Specialist i Gjuhës Shqipe në Universitetin kinez. Viti shkollor mbaroi shpejt dhe atij unë i kujtoj dy gjëra: E para, përvojën e çmuar që fitova në mësimdhënien e shqipes si gjuhë e huaj, e cilado temë hapte një dritare të re në punën time kërkimore; e dyta, ndërgjegjësimin me vështirësi se në këtë botë, pavarësisht kulturave të ndryshme, jetohet me të njëjtin shqetësim dhe për të njëjtin qëllim.  Them me vështirësi, se atë vit të parë, por edhe më vonë, ndryshimet kulturore midis dy vendeve më kanë çuar në “keqkuptime” nga më të ndryshmet…. Pas atij viti, rikthehem pedagog në universitetin e Elbasanit, veç të tjerave, edhe me përvojën e një viti pune në një universitet të huaj. Partitë kishin filluar t’i “gjuanin” vlerat dhe mirë bënin, porse në këtë “gjueti” mungonte takti. Me mua ndodhi pak a shumë kështu: Njëra parti, pa dashjen time, më emëroi Dekan Fakulteti, tjetra, po pa dashjen time, më çemëroi, dhe në dy vjetët e këtij emërim-çemërimi, fillova të ndjehesha si top pingpongu, rraketat e të cilit ndodheshin në duar që nuk i komandoja unë… Ndërkohë, në fillim të vitit shkollor 1998, i njëjti universitet në Pekin përsëriti për së dyti kërkesën për një pedagog shqiptar të gjuhës shqipe dhe emrin tim e kishte mëse të njohur.

Kështu erdhi “largimi” po me miratimin e Ministrisë, më pas edhe të vetë Universitetit të Elbasanit. Tanimë, unë jap ndihmesën time që albanologjia në Kinë t’i kapërcejë kufijtë e vendit aziatik dhe të prekë caqe të panjohura më parë dhe kjo është ajo shtysa për të cilën më pyetët.

Si ishte ambjentimi me Kinën, kulturën, traditat dhe të jetuarit aty?

Fillova ta shpjegoj atë punën e diferencave kulturore dhe tani po thellohem, meqë pyetja juaj është konkrete. Në pyetjen e mëparshme ju përdorët mbiemrin e largët për Kinën duke cilësuar: … në Kinën e largët. Cilësori juaj nuk ka parasysh vetëm distancën, por edhe atë ndyshim kulturor, për të cilin pyetja juaj e rradhës rreket të mamarrë përgjigjen. E pra, po ju them që në fillim se ambjentimi nuk ka qenë i lehtë, madje në një kuptim ai është duke ndodhur ose nuk do të ndodhë fare. Përmenda më sipër se ndryshimet kulturore midis dy vendeve më kanë çuar në “keqkuptime” nga më të ndryshmet ose, pa dashur të theksoj kuptimin e Samuel P. Huntingtonit në veprën e tij “Përplasja e qyterimeve…”, në ca “përplasje” herë të buta, herë të forta dhe herë qesharake, herë qaramane…. Kjo do të thotë që botët tona janë të ndryshme dhe nuk mund të bëhen të njëjta. Midis tyre, me gjithë huazimet, do të ketë vazhdimisht keqkuptime apo përplasje. Po bëhem më i qartë me ca shembuj jetësorë: në Kinë, njerëzit përshëndeten me njëri-tjetrin me kokë apo vetëm me një buzëqeshje. Vetëm në raste zyrtare mund të jepet dora. Ne, jo vetëm që të japim dorën në çdo rast, por edhe përqafohemi, madje puthemi, dhe kjo ka qenë një prej atyre “përplasjeve” të buta kulturore gjatë bashkëjetesës sime me kinezët; përherë e kam pasur të vështirë mirëkuptoj qeshjen kineze në kuptimin “s’prish punë” pas gabimeve, bile kjo më ka çuar në pragun e “përplasjes” së fortë, nevrikosjes së çastit; keqkuptim më ka sjellë edhe shenja me dy gishta e fitores. Për këtë kam një episod humoristik nga vizita e një shqiptari në orën tonë të gjuhës shqipe. Kur erdhi koha e fotografive, studentët e mi kinezë filluan të ngrenë lart dy gishtat, ndërsa mysafiri shqiptar zuri të thërrasë “liri-demokraci” dhe “Sali Berisha”… Në Kinë shenja e dy gishtave përdoret përgjithësisht e desemantizuar dhe pothuaj në çdo rast para aparatit fotografik; edhe nxjerrjen e gjuhës nga kinezët në situata ligjërimore, e kam marrë më tepër si qaramani a veprim fosharak dhe jo si shenjë turpi a sikleti, siç del se është.Unë i mora shembujt nga gjuha e trupit për të qenë më i kuptueshëm, por, sigurisht, dallimet mund të numërohen edhe në sfera të tjera të tjera të jetës. Ndryshueshmëria kulturore është objektive, por këtu e rëndësishme është toleranca, pranimi i tjetrit ashtu siç është dhe pastaj ambjentimi vjen vetë. Duke u hapur, Kina ka mundësuar që tradita të botës së vet të kuptohen dhe pranohen nga të huajt. Ka shumë njerëz  që kanë mësuar zakone të tilla, si ngrënia me shkopa, ushtrime të jogës, dhënia e kartës personale me të dy duart e shtrira etj. Në bashkëjetesën midis njerëzve njohja e gjuhës së tjetrit është një gjë me mangësi pa respektimin kulturës së tij dhe ia vlen, në këtë rast, të kujtojmë shprehjen latine «Kur je në Romë, bëj si bëjnë romakët.»

Di që jepni gjuhën shqipe për vendasit aty, si është interesi i studentëve dhe sa e lehtë është që ata të mësojnë shqipen, thonë se shqipja është një gjuhë e vështirë, por mua gjuha kineze më duket tëpër e vështirë?

Po, unë punoj si Profesor i Ftuar në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit duke ushtruar mësimdhënien e gjuhës shqipe me një numër studentesh, që freskohen një herë në katër vjet, të nivelit universitar dhe pasuniversitar (master dhe doktor), dhe duke konsultuar e përditësuar kolegët kinezë të po kësaj gjuhe. Siç shihet, megjithëse ndodhem në Kinë, jeta ime është ngushtësisht e lidhur me gjuhën shqipe.

Nuk mund të flitet për interesa paraprake të studentëve kinezë për gjuhën shqipe në veçanti, bile mund të pohoj se ka nga ata që nuk e kanë fare idenë për shqipen apo gjuhë të tjera të këtij lloji, gjuhë të vogla siç quhen, krahasuar me gjuhë të tjera të mëdha, si anglishtja p.sh. Por interesi është i madh për Universitetin vetë, ku vetëm në Fakultetin e Gjuhëve dhe të Kulturave Europiane, ku përfshihet edhe shqipja, studiohen afër 30 gjuhë. Studentët përzgjidhen për të studiuar një gjuhë të huaj të dytë (të vogël), pa e ditur se cila do të jetë ajo, në bazë të njohurive që ata kanë për një gjuhë tjetër të huaj (të madhe): kjo pëcaktohet nga një komision i posaçëm specialistësh të Fakultetit, i cili kontrollon p.sh.aftësinë e kandidatit në shqiptimin e gjuhës përkatëse. Në kushtet e fillimit të kësaj gjuhe nga niveli zero, kjo mënyrë përzgjedhjeje ka rezultatet e veta. Ndërkohë, numri istudentëve në një gjuhë të tillë, si shqipja p.sh., është çështje shtetërore, pra është Ministria e Arsimit që përcakton nevojat që ka shteti për specialistë të një gjuhe të caktuar, pa harruar edhe nevojat e tregut për atë gjuhë.

Ndërkohë, mendoj se vështirësia nuk është cilësi e një gjuhe të caktuar, ajo qëndron në faktin se studentët kinezë e fillojnë gjuhën shqipe nga niveli zero dhe e gjithë barra bie mbi mua që duhet t’ua kthej klasën në “një Shqipëri të vogël” për t’u dhënë mundësinë të dëgjojnë, flasin, komunikojnë, shkruajnëdhe përkthejnë sa më shumë. Foljet që rreshtova më sipër përbëjnë edhe disiplinat ku ka plot punë për hartimin e teksteve bashkëkohore përkatëse. Kjo metodë i ndihmon ata ta mësojnë gjuhën në përdorim dhe, po ashtu, të kapërcejnë problemet e ndërlikuara të gramatikës së shqipes, të cilat, për shkak të ndryshimeveqë kanë dy gjuhët në këtë sistem, nxjerrin krye si në vargun sintagmatik, ashtu edhe në atë paradigmatik.

Ju vetë sa keni arritur ta përvetësoni këtë gjuhë?

“Shqipëria e vogël” që kam ngritur në universitet më ka mbajtur vazhdimisht brenda gjuhës, për të cilën kam ardhur këtu, shqipes, që ka mbetur ende gjuha ime e punës, profesioni im. Edhe interesat studimore kanë qenë prapë brenda kësaj gjuhe të vogël… Megjithatë, dëgjimi i përditshëm i kinishtes më ka familjarizuar me këtë gjuhë aq sa për të komunikuar në jetën e përditshme, pastaj studimet pasuniversitare në një Universitet kinez, ndonëse në gjuhën shqipe, më kanë detyruar të hyj edhe në botën e pafund të hieroglifeve kineze. Me këto studime, mendoj, të marrin formë dy vepra: njera me pamjen e një fjalësi a fjalorthi, siç pretendoj shterues dhe shpjegues, të elementit shqip me “brumë kinez” që ka ngjizur përfytyrimin a imazhin, qoftë edhe figuracionin a konotacionin për Kinën, ku do tëpërfshihen nga formante gramatikore e deri tekste të plota që kanë bërë këtë ngjizje, për të cilin nevojat e Departamentit të Gjuhës Shqipe këtu janë të ndjeshme; tjetra me pamjen e një mënyre a metode sa më të thjeshtë në shqipe, informuese dhe shpjeguese, të asaj bote të ngatërruar e të pafund hieroglifesh, për të cilën ka nevojë të ndriçohet çdokush që dëshiron.

Ndërkohë që ju jetoni në Kinë, unë shoh se keni një vëmendje të madhe për shqipen, cilat janë problemet që ju shihni, cilat janë interesat tuaja studimore, etj.?

Pa këtë vëmendje, si mund ta mbaj mbi shpatulla këtë lëndë për t’ua dhënë të tjerëve. Gjuha shqipe është një lëndë që pa vëmendje tjetërsohet ose prishet. Më shqetëson tranzicioni i zgjatur i shoqërisë shqiptare, i cili është bërë edhe i gjuhës. Në këtë kuptim, unë mund të flas për “gjuhë në tranzicion”, ku po shfaqet një gjendje kalimtare: kur një palë rregulla kërkohet të zëvendësohen me një palë të tjera, ndërkohë, sidomos kur zgjat shumë, është mungesë rregulli ose edhe parregullsi. Sa më shumë zgjat ndërkoha, aq më e madhe është parregullsia. Kjo ndërkohë me parregullsitë e veta ka filluar të ndjehet në drejtshkrim: p.sh, Evropë-Europë, bile edhe Ewropë po shfaqet në letrat tona. Mendje erudite të fushës na tregojne se varianti Europë është i duhuri, por ato mendje nuk janë vendimmarrëse. Mendjet e vërteta vendimmarrëse e shtyjnë vendimin dhe kështu ka lindur dhe jeton gjendja pa rregulla.Ose: mua nuk më shqetësojnë huazimet, ato janë pasuri për një gjuhë, më shqetësojnë format shumëfishe të paraqitjes me shkrim të tyre dhe kohëzgjatja e ekzistencës së këtyre formave. Bashkëpërdorimi i tyre me forma të pastra dhe të rregullta mund të prishë edhe këto të fundit.

Sa përmenda, përbën një fushë të vazhdueshme të interesti tim studimor.

Por aktualisht duke e bërë jetën akademike në një Universitet të Kinës kanë dalë edhe përparësi të tjera, që gjithësesi lidhen me gjuhën shqipe. Në këtë këndvështrim në përditshmërinë time shqiptare kam hasur cilësime a përcaktime, paragjykime, situata qesharake deri në absurd lidhur me emrin e vendit Kinë, ndajfoljen për gjuhën e këtij vendi kinezçe dhe emrin a mbiemrin kinez të banorit. Po tregoj dy raste të jetuara, ku fjalët e sipërpërmendura nuk merren asnjëherë me kuptimin e tyre të vërtetë dhe prodhojnë ngërçe në komunikim:

  1. a) Nëpunësja e Bankës më tha:

-Zotëri, procedura që kërkoni ju zgjat dhe ne jemi në fund të orarit zyrtar, prandaj eja nesër.

Unë kisha mbajtur rradhën, m’u dhimbs ajo kohë e harxhuar dhe iu luta të kryenim punë se nuk banoja në Shqipëri dhe se të nesërmen do të largohesha. Ajo nuk pranonte që nuk pranonte dhe biseda po acarohej… Ndërhyri drejtoresha e bankës, e cila për befasinë time më përkrahu. Befasia u shua menjëherë, kur ajo përmendi emrin e profesorit të njohur të Ekonomikut, që mban të njejtin mbiemër me mua.

Ku banon? – më pyeti ajo.

Në Kinë, – iu pergjigja.

Më pa me ca sy mosbesues, duke më bërë të mendoja se ajo, gati-gati, po më quante mosmirënjohës për nderin që po më bënte:

Po e thua në kuptimin ironik?!

Jo po e them ne kuptimin e parë, – i thashë duke i nxjerrë një dokument kinez identifikimi që m’u ndodh me vete.

U qetësua dhe më mbaroi punë.

  1. b) Politikanët tanë, në kohë fushate, flasin kinezçe me popullin, – më shkruante në Facebook një miku im letrar… Në rreshtat më poshtë, pasi ndoshta u kujtua që unë po i shkruaja pikërisht nga Kina, shtoi si i zënë në faj: Ia fusin kot, – desha të them. Dhe e nderpreu bisedën.

Raste si këto më kanë shtyrë në studime…

Para ca vitesh me një aritikull të botuar në revistën që nuk del më “Gjuha jonë” kërkoja gjallërimin e ndajfoljes kinisht, pak e përdorur, në të mirë të asaj kinezçe që është zotëruese në të folur, por mbart ca paragjykime përçmuese tek shqiptarët, të cilët e përdorin vend e pa vend për çdo rrethanë të pakuptueshme duke e kthyer në sinonim të pakuptueshmerisë, ashtu siç ndajfolja shqip është sinonim i kuptueshmërisë (përdorimin e kuptimeve të tilla nuk mund ta mohoj, flas vetëm për emërtimin e gjuhës përkatëse), dhe të ndajfoljes tjetër kinezisht që është përpjekur ta zëvendësojë, por jo natyrshëm në shqipe, ku, në gjendjen e sotme, pothuaj të gjitha ndajfoljet e këtij tipi formohen nga nga emri i vendit me prapashtesën -(i)sht, rrallë, më mirë asnjëherë nga emri i banorit.

Pastaj cilësimet propandistike, paragjykuese, shakatare, imagjinare apo imazhkrijuese si, populli vëlla kinez, Kina  e madhe, Kina e kuqe, Kina e re, Kina e largët, kinezërira, dragoi kinez, një kinez nga fundi i botës, një këmbë kinezi e radiografuar, majmun i verdhë,  i ra nga Kina, ciu cërr, superfuqia e dytë, ekonomia e parë, tren që s’kapet etj. janë dikues të fortë për formimin e një bote imagjinare, qoftë të tejkaluar apo qoftë të ardhme, te njeriu shqiptar që nuk e njeh nga afër realitetin kinez dhe më tërheqin t’i shoh me sy studimor.

Mos duhet dhe vetë shteti dhe Ministria e Arsimit të ushtrojë më shumë vëmendje karshi gjuhës?

Ata vendimmarrësit e vërtetë lipset t’ua kërkojnë mendimin mendjeve erudite të fushës dhe sa më shpejt ta kthejnë mendimin e këtyre në ligj. Vetëm kështu ndërkoha pa rregulla kthehet në kohë me rregulla. Një gjë duhet kuptuar mirë këtu: specialisti prodhon rregullin, vendimmarrësi merr vendimin. çdo ndryshim i rendit të fjalëve në fjalinë e mësipërme sjell rënie në gabime fatale dhe absurditete.

Prej shumë vitesh keni qenë pedagog dhe në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, a ktheheni sot aty dhe si e shihni?

Ruaj marrëdhënie të mira me të gjithë kolegët e Departamentit të Gjuhës dhe më gjerë. Më tepër ato janë virtuale se reale, për shkak të largësisë. Por takimet e mallit dhe dikutimet rreth çështjeve të fushës sonë asnjëherë nuk kanë munguar. Bile, së fundi mora pjesë në mbrojtje masteri i ulur  “në tryezën e pegagogut” me statusin e ish- profesorit të atij Universiteti. Miku dhe kolegu Dr. Albert Riska ma mundësoi këtë dhe unë kuptova nga titujt e temave të kandidatëve për master se problematika që shqetëson mësuesin a studiuesin e ardhshëm shqiptar është një problematikë e prekshme në realitetin e fushës së përzgjedhur për studim. Universitetin e Elbasanit e shoh si një qendër të rëndësishme të arsimit shqip, për të cilin shteti, si për të gjitha vlerat e veta, duhet të investojë mbështetje të gjithanshme.

Në Kinë miqtë, kolegët tuaj a dinë mbi Shqipërinë dhe për çfarë kanë më shumë interes?

Kolegët po, miqtë jo të gjithë e njohin Shqipërinë. Kolegët e ngushtë dhe shumica e ish studentëve kanë një njohje konkrete dhe interesohen për gjithçka që lidhet me Shqipërinë: gjuhën, kulturën, sportin, tregtinë, gazetarinë, diplomacinë etj. Disa prej tyre, madje, janë angazhuar dhe spikasin si personalitete në fushat që përmenda. Mjafton të përmend që në ambasadën kineze në Shqipëri ka pasur dhe ka diplomatë nga ky grup kolegësh. Të tjerët kanë një njohje të zbehtë, që u përcillet mediatikisht apo përmes leximeve a kujtimeve, në varësi të moshës. Interesi më i përgjithshëm që këta shfaqin është turizmi dhe tregtia. Të interesuarit e fushës së dytë, përmes kontakteve me tregtarë shqiptarë, kanë formuar bindjen se shqiptarët kërkojnë mallra me çmime të leverdisshme, për të mos thënë të ulta, ndërsa turistët kërkojnë të shohin me sytë e tyre Shqipërinë e pas viteve 90’, vendin për të cilin aq shumë kanë dëgjuar para këtyre viteve dhe jehona e “vëllait të vogël europian” ende u ka ngelur në veshë.

Në Tiranë ka një komunitet të madh kinezësh që jetojnë këtu, por dhe mjaft biznese mbahen prej Kinës…

Kam një njohje të përciptë për këtë komunitet, por di se komunitete të tilla kinezësh ka kudo në botë. Bile duke qeshur, u them studentëve se ajo që na bashkon është se si kinezët, edhe ne shqiptarët gjendemi ngado. Njoh pronarin e restorantit kinez “Oriental City”, i cili punon dhe jeton prej vitesh në Shqipëri duke kontribuar në njohjen dhe shijimin e kuzhinës kineze në Shqipëri, si dhe duke përmbushur edhe qëllimet e veta prej bisnezmeni të zgjuar. Nga ana tjeter, fakti që Kina mban mjaft biznese në Shqipëri, kjo nuk përbën çudi, sepse të gjitha bizneset e botës të çojnë, përmes “Rrugës së Mëndafshit”, në Kinë. Risia është se kjo rrugë, kohët e fundit, priret të kthehet edhe në përçuese të kulturës kineze me Insitutet “Konfuci”, të shpërndara në Europë e më gjerë, një prej të cilëve u përurua edhe në Tiranë para ca kohësh.

Bashkë me ju në Kinë jetojnë dhe bashkëshortja si dhe dy djemtë e tu ata janë lindur dhe rritur aty, si ndihen?

Kjo pjesë e shtrenjtë e familjes, që jeton jashtë “Shqipërisë time të vogël” përparon në gjuhën e vet, atë të shkollimit e të punës. Ata janë pjesë e një komuniteti të huajsh dhe e bëjnë jetën shkollore në një shkollë angleze, ndër më të mirat në Kinë. Erinda si drejtuese e zyrës së pranimeve, Valmi si nxënës i klasës së pestë dhe Joriku si nxënës i klasës së parë. Të dy djemtë kanë lindur në Pekin:  i madhi është katërgjuhësh, se disa klasë shkolle i ka bërë në Liceun Francez të Pekinit, ndërsa i vogli tregjuhësh.  Pavarësisht kësaj, Valmi dhe Joriku (vini re kam zgjedhur jo pa qëllim, si emra të tyre,dy variantet e gjinisë mashkullore në shqipe: ata janë studentët e mi më të vegjël), përbëjnë një pjesë të rëndësishme të “asaj Shqipërisë time” në Pekinqë e gjallërojnë atë duke na vizituar e duke biseduar në një shqipe të çlirët. Ndërkohë, Erinda, me mendimet e saj, më ka çuar në konkluzione të rëndësishme të punës sime, ajo është nxitësja dhe propozuesja e formës përfundimtare që mori teksti im “Komunikimi shqip”, të cilin po e përdor me studentët e vitit të dytë, ndërsa në një projekt tjetër ajo është bashkautore.

Po mbi Shqipërinë për çfarë interesohen më shumë për çfarë shfaqin më shumë interes?

Djemte e mi Shqipërinë e kanë në zemër. Ata janë banorë të Tiranës që nga lindja, por kanë rrënjë të thella Elbasani si nga i ati, ashtu edhe nga e ëma. Vetë emri Valm i të parëlindurit, të cilin ne e kemi përzgjedhur bashkërisht, është tregues i këtyre rrënjëve. Unë, pa e ditur se ky emër do të shënonte tim bir, shumë vite para lindjes së tij, pata shkruar: “Emri Valm u përdor në vend të Skampinit, kur sërish, në atë truall, pas ndonjë shkatërrimi a djegieje (braktisjeje), filloi jetën një qendër e re urbane. Kohëzgjatja e këtij makrotoponimi të dytë s’është as fort e qartë, as fort e dokumentuar mirë. E përmend Marin Barleti “…qytetin e Valmëve të rrënuar nga themelet…”.Këtë “Urbs Valmorum” Barleti e zë në gojë edhe si vendlindje të Moisi Golemit. Kjo kohë e Valmit lidhet me ngjarje thelbësore për etninë tonë.” (Ruzhdi Stringa: Sprovë për një periodizim të shkrimit të shqipes në Elbasan, Ars Poetica Nr. 17, Mars 2009, f. 36-39). Edhe emri Jorik i të dytëlindurit rezulton si emër ilir në listat përkatëse, me burim nga një emër personi, por për ne, ky emër, me një ndryshim të vogël, lidhet me emrin Lorik të kapitenit legjendar të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, fanellën me numrin 5 të të cilit Valmi e mbante veshur në kohën kur i lindi i vëllai.

Duket se dy djemtë ndahen për nga interesat që i shfaqin deri tani dhe unë e përgjithësoj kështu këtë ndarje: I madhi me shkronjat, i vogli me numrat. Ndërkohë të dy me topin. Futbolli i merr një pjesë të mirë të kohës në shkollën e tyre, kështu që ata dinë gjithçka rreth tij, flasin me pasion, bile njohin mirë edhe  skuadrën tonë kombetare dhe si tifozë të saj, shkojnë aq larg, sa sjellin në bisedë edhe dëshirën për të luajtur me Shqipërinë. Kur vijnë në Shqipëri, kënaqen duke dëgjuar e folur shqip me të gjithë, duke ngrënë gjellë të shijshme dhe duke takuar të afërmit. Cdo gjë që lidhet me fëmijërinë e prindëve të tyre është tërheqëse për ta.

Këtë herë shëtitën pothuaj krejt jugun e Shqipërisë, herën tjetër e ka rradhën veriu.