To top
6 Gus

SHBA nis punën për arrestimet VIP, oficerët e FBI zbarkojnë në Tiranë për ngritjen e Byrosë së Hetimit, gati ekipi që do gjurmojë paratë e pista

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar përgatitjet për arrestimin e politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Edhe pse politika dhe drejtësia kanë tentuar gjithmonë që të bllokojnë reformën në drejtësi, ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në momentet kyçe dhe kanë bërë që ky proces të vijojë. Por pas shumë përpjekjeve, në shtator do shihen dhe frytet e para të kësaj reforme.

SHBA përmes ambasadorit Donald Lu, e ka bërë të qartë se nuk do ketë tolerim ndaj askujt që është i korruptuar. Për këtë arsye, SHBA ka filluar punën për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky organ do jetë në zotërim të SHBA dhe do jetë vendimtar në luftën ndaj korrupsionit. Në Shqipëri kanë mbërritur disa agjentë të FBI dhe ata janë duke punuar për ngritjen e BKH. Kjo gjë është bërë e ditur nga rrjeti gjerman “Dewtche Welle”, i cili ka dhënë detaje mbi rolin amerikan.

Përmes një artikulli kushtuar hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, “DW” i ka kushtuar mjaft rëndësi luftës ndaj korrupsionit. Sipas artikullit, në Tiranë tanimë kanë mbërritur oficerët amerikanë të FBI, që po trajnojnë ekipin e përzgjedhur që do të punojë në Byronë Kombëtare të Hetimit. Në fokus janë operacionet për gjurmimin dhe gjetjen e pastrimit të parave dhe transaksioneve financiare, lidhjet e politikës dhe administratës shtetërore me krimin e organizuar.

Ekipi përbëhet kryesisht nga të rinj dhe të reja me rezultate të shkëlqyera në universitet dhe të kaluar në skaner për integritetin e tyre moral. Kriter në përzgjedhjen e tyre është mungesa e plotë e lidhjeve me politikën dhe administratën shtetërore. Që 3 vite më parë, SHBA e kishte si synim ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ligji u hartua dhe u miratua, mirëpo PD e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e rrëzoi, pasi sipas ligjit BKH do ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj, ligji u ndryshua në kuadër të reformës në drejtësi dhe BKH do jetë në varësi të SPAK.

Funksionimi i Byrosë

Sipas parashikimeve në ligj, Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit do përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Ajo ka gjithashtu në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilët janë nën drejtimin administrativ të Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën varësi procedurale hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Punonjësit e shërbimeve mund të qëndrojnë në mjediset e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit apo ato të institucioneve përkatëse, sipas nevojave të përcaktuara nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Nga ana tjetër, në ligj është përcaktuar dhe roli i ndërkombëtarëve. “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në nenin 57 të ligjit për luftën ndaj korrupsionit.