To top
13 Nën

Stilistja Majlinda Syziu Cano, mes modernes dhe traditës

 

Majlinda Syziu Cano është një ndër stilistet pothuajse të rralla e cila në stilimet e saj përdor veshjet artistike, të punuara me grep. Një zhanër i vështirë që kohët e fundit vlerësohet mjaft sidomos nga të huajt. Punime tejet delikate, fine, ku stilistja ndërthur klasiken me modernen. Veshjet e saj janë të prezantuara në sfilata të ndryshme, nëpërmjet modeleve të cilat ua shtojnë edhe më shumë hijeshinë veshjeve.

(Veshje të realizuara nga stilistja, Majlinda Syziu Cano në sfilata të ndryshme)

Një artiste në shpirt dhe në pamje, Majlinda e cila është diplomuar në në Liceun Artistik në degën e arteve figurative, kujton fillimet e saj të hershme në qytetin e Lushnjes.

“Fillimet e stilimit tim kanë qenë rreth viteve 1975. Kam filluar me bluza e triko të punuara me shtiza e grep. Asokohe preferohej akriliku i punuar me dorë. Punët e dorës i kam mësuar që në moshë të vogël nga familjarët e mi. Nisur nga nevoja për të pasur diçka ndryshe nga ato veshje që ishin standarte në treg . Jam munduar të krijoj veshje për vete, por mundësitë kanë qenë të kufizuara, për shkak të materialeve që mezi gjendeshin. Kam përdorur shumë ato materiale që recikloheshin. Një ndihmesë të madhe në stilimin e veshjeve e kam marrë nga shkollimi në Liceun Artistik në degën e arteve figurative. Pas mbarimit të shkollës së mesme, duke u mbështetur në traditën familjare kam krijuar veshje moderne në përshtatje me tendencat e kohës (bluza, triko të mëdha leshi si dhe jaka që përdoreshin për uniformën shkollore). Gjyshet, tezet, hallat e mia kanë qënë mjeshtre në punimin me shtiza e grep, në tezgjah për endjen e pëlhurës. Ato kanë punuar leshin,pambukun,lirin e kërpin. Janë dalluar në zbukurimin e veshjeve me qëndisje, grep, rruaza dhe temina. Ngjyrosnin me mjeshtri me gjethe bimore materialet e leshit dhe pambukut. Kanë përgatitur pajat e nuseve si dhe veshje për nevoja familjare të përdorimit të përditshëm. Unë që e vogël kam mësuar prej tyre teknikat e punimit ( me grep e shtiza,punime në tezgjah, qëndisje e tantella). Bazuar në traditën familjare më ka pëlqyer gjithmonë linja klasike. Por kam lëvruar dhe atë moderne, neoklasiken. Më pëlqejnë veshjet me ngjyra të ngrohta ( e kuqe, portokalli). Pëlqej ngjyrën blu kobalt dhe të verdhë. Veshjet e mia dallohen nga kontrasti i ngjyrave. Të gjitha këto jam munduar ti realizoj në punimet me dorë, edhe qepjen e tyre. Dua të theksoj se karakteristike në stilimet e mia është alternimi i teknikave dhe materialeve që i bën këto veshje më të veçanta. Kjo kërkon shumë kohë e mund por unë e bëj këtë me shumë dashuri”.

Majlinda është e angazhuar shpeshherë dhe me sfilata të ndryshme, ku ajo ekspozon, stilimet e saj më të reja.

Sfilata e fundit ishte ajo (Pranverë- verë 2017) ku stilistja,  prezantoi koleksionin me veshje të punuara me shtiza dhe grep, veshje të qëndisura,ku vërhen rruaza, xhufka, zile, kopsa e kordone. Koleksioni përbëhej nga 20 veshje. Të gjitha me materiale 100% pambuk, që do të thotë tejet komode dhe të rehatshme në trup, të realizuara, në fustane, funde, bluza, triko, kostume, rroba banje, çanta e fustane plazhi si dhe kuleta të mëdha. Në realizimet e stilistes  dominon ngjyra e kuqe, portokalli, nude dhe pana, si dhe kontrastet e ngjyrave në veshje. “Ndihem krenare për  atë çka kam arritur deri tani. Sa për sfilatën mund të them se mënyra e organizimit të saj lë shumë për të dëshiruar. Nuk plotësonte standartet . Bashkë me stilistët që paraqisnin veshjet e tyre morrën pjesë edhe boutique-t që reklamonin mallrat e tyre. Ndihem e realizuar, unike në veshjet e mia handmade. Janë zhvilluar shumë sfilata pas viteve 90. Kemi parë shumë veshje me stil, por veshjet e mia dallojnë :  E para se janë handmade, e dyta në cilësinë e materialit (100% lesh ose 100%pambuk ), e treta veshjet janë me punë të alternuar, e katërta me materiale plotësuese dekori (rruaza, kopsa, kordona, xhufka e zile). Është e mbështetur në traditën popullore dhe  duke u përsosur në forma e ngjyra, e përshtatur me tendëncën e kohës. Në ditët e sotme njerëzit janë kthyer në veshjet e pambukut, e leshit, e mëndafshit, larg veshjeve sintetike, preferojnë veshje me fije të ngjyrosura me bimë, jo me bojra kimike. Pikërisht kjo me inspiron, të kërkoj mënyra të reja për realizimin e veshjeve. Sa për llojet e copave, përdor pëlhurat, xhinsin, stofin. Në këtë sfilate kisha stiluar çante plazhi si dhe kuleta të mëdha. Mendoj se kam ende për të bërë, kam filluar me ato çanta rrjetë për psonisje të përditshme”, shton stilistja.

Të jetosh me profesionin e stilistet është tejet e vështirë shprehet Mjalinda, duke shtuar se këtu nuk vlerësohet si duhet puna e dorës. Kjo falë mosnjohjes së vlerës së saj dhe fuqisë blerëse. Veshjet e saj, kanë vlera artistike, ku në kosto përfshihet dhe koha që ato marrin. “Është si të blesh, një vepër arti, që jo kushdo e ka atë mundësi. Mungesa e tregut e vështirson edhe me shumë. Sfilatat ne Shqipëri nuk japin para, ato marrin. Zhvillohen jashtë standarteve evropiane. Në fushën e stilimit jam bazuar në traditën familjare, në tendecat e kohës, me pëlqejnë kontrastet e ngjyrave dhe mundohem të jap atë çfare ka  munguar deri më tani”, shton stilistja. Por një shqetësim që ajo ngre në fushën e modelingut është: “Duke qene një grua në moshë dhe me forma trupore të plota kam menduar edhe për këtë grup moshe me këto përmasa . Shikojmë  gjithmone në sfilata masa të vogla dhe modele veshjesh, për të reja. Mendoj se sflilata e rradhës do të jetë pikërisht kjo “e munguara” përfundon stilistja Cano e cila këtë profesion e kryen me shumë pasion e ndërsa zbulon projektin më të ri. “Jam duke punuar për koleksionin e dimrit ku spikasin triko të mëdha leshi, kapuç,shall,trasta leshi, doreza si dhe golfe të mëdha”, të ngrohta dhe komode për sezonin e dimrit që sapo ka trokitur.