To top
25 Maj

Zija dhe poezia: Rilke dhe Açka në holandisht

Shkrimtarja Flutura Açka, ndërsa rreshkej mes kujtimesh  dhe ditëlindjes së 19-të të munguar të Biriit të saj të vetëm, të ndarë nga jeta, pak kohë më parë, në faqet e gazetës më të madhe holandeze, “De Volskrant” ishte botuar ky shënim mbi vëllimin e saj më të fundit poetik “Roja i dritës”, të botuar pak javë më parë edhe në gjuhën holandeze. Për engjëj e Rilkes flitet aty, nga ata engjëj që qortojnë, por edhe për engjëj që të dhurojnë, të padukshmit, ata të kujtesës. Mes pirgut të librave të shumtë që botohen çdo ditë në Holandë, kritiku i mirënjohur holandez, Arjan Peters, e veçoi këtë vëllim me shenjë të Açkës. Përkthyesi i njohur holandez, Roel Schuyt,  përkthyesi tashmë i dy librave të saj në holandisht dhe i shumë veprave nga shqipja në gjuhën holandeze shkruan…

KURRFARË DRITE A LEHTËSIM

Te Rilke, Arjan Peters nuk gjeti vend për zi, sikurse në vargjet e Flutura Açkës

“Ka aritmi ora, minutat hanë thonjtë,” shkruan poetja shqiptare Flutura Açka

Arjan Peters

Përpara se të shkruante në vitin 1912 ciklin e poezive të njohura si “Jeta e Marisë”, që janë botuar tashmë të përkthyera [në holandisht] nga prifti mençurak Piet Thomas nga Leuven, Rainer Maria Rilke duhet të ketë hulumtuar një qerre me ungjij dhe piktura. Kjo grua [Maria] nuk gjeti një çast të vetëm qetësie. Qysh nga lindja e saj, u gjend e rrethuar nga engjëjt dhe apostujt, dhe e gjithë kjo trazirë vazhdoi edhe pas vdekjes së saj, deri kur vajti në vendin e saj në qiell.
Më e paqëlluar, është poezia e fundit e ciklit, kur një engjëll e qorton apostullin Thomas, pasi ai erdhi me vonesë dhe qëndronte atëbotë i pikëlluar në anë të varrit, ndërkohë që vetë Maria nuk është më aty. Përkthyesi e ka harruar fare rimën në fund të poezisë, me një përjashtim të vetëm, duke na shtyrë kështu t’i vemë më pak rëndësi formës dhe të përqendrohemi më shumë te ky engjëll plot trishtim.

“Shih qefinin. Ç’e zbardh krejt,
shkëlqimin aq qartë të paprekur?
Drita e këtij trupi të pastër vetë,
sa dielli i ndritshëm lini ka mbetur.

Nuk ju befason se si është bart?
Si të jetë ende atje. S’ka lëvizur gjë.
Por qielli dridhet, lëkundet atje lart.
Bëj si unë, njeri, këndo e gjunjët n’tokë vë.”

Ajo që më shqetëson mua, është se ky apostull nuk le vend për heshtje dhe zi, atij i duhet të jetë i lumtur dhe të gjunjëzohet dhe të këndojë.
Unë vetë e kuptoj ndryshe Thomasin. Dhe përligjjen e qëndrimit tim, e gjej në përmbledhjen “Roja i dritës” së poeteshës shqiptare Flutura Açka (1966), djali i vetëm i së cilës (17 vjeç) vdiq nga një sëmundje e rëndë vitin e kaluar. Mes poezive të saj të përkthyera nga Roel Schuyt, unë zgjodha “Nata më e gjatë në jetë”:

“Ka aritmi ora,
minutat hanë thonjtë,
vdekja jetës i hedh vargonjtë.
Ti shushamë,
e vetme zezërin në natën e zbrazët,
e hesht pikur n’zi,
e pabëzamja këmbanë,
shembur në anë,
lëshon tinguj vaji tani.

Nata më e gjatë në jetë,
natë mbet’.”

Nuk shquhet anjë dritë aty apo ndonjë lehtësim. Paqja e saj e vetme është se nuk do të ketë ndonjë engjëll që ta qortojë e ta shtyjë t’i japë fund zisë së saj.

Amsterdam, 24 maj 2019