To top
25 Dhj

Papa Leo XIV kremton meshën e parë të Krishtlindjes. Mijëra besimtarë sfidojnë shiun në Vatikan

Për herë të parë që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike, Papa Leo XIV kremtoi mbrëmë Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Pak minuta përpara nisjes së liturgjisë, Ati i Shenjtë surprizoi besimtarët duke dalë në Sheshin e Shën Pjetrit, ku u prit me duartrokitje dhe emocione të forta nga mijëra njerëz, të cilët kishin sfiduar edhe shiun e rrëmbyeshëm për ta parë nga afër.

I prekur nga përkushtimi i tyre, Papa iu drejtua turmës me një mesazh falënderimi dhe bekimi, duke i ftuar besimtarët ta festojnë Krishtlindjen së bashku, si shenjë paqeje dhe dashurie, ashtu siç e solli në botë Jezu Krishti me lindjen e Tij.

Më pas, Ati i Shenjtë u drejtua drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, ku atmosfera solemne u shoqërua nga interpretimi i himnit tradicional “Noel” nga Kori i Kapelës Sistine. Mesha u kremtua në një klimë të thellë shpirtërore, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.

Në altar, Papa Leo XIV bashkëkremtoi liturgjinë me rreth 250 klerikë të lartë, mes tyre kardinalë, peshkopë dhe priftërinj. Në homelinë e tij, Papa ndaloi te dinjiteti i njeriut, duke theksuar se një ekonomi e padrejtë rrezikon t’i trajtojë njerëzit si mallra, ndërsa Zoti, duke u bërë njeri, i jep vlerë të pafund çdo personi dhe ofron çlirim nga çdo formë skllavërie. Ai ngriti edhe një pyetje reflektuese: a është kjo dashuri e mjaftueshme për të ndryshuar historinë tonë?

Përpara nisjes së Meshës, Papa zbuloi figurën e Jezusit Fëmijë në skenën e lindjes së Krishtit, e vendosur pranë Altarit të Rrëfimit, një gjest simbolik që u pasua nga një homazh me lule nga fëmijë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Ukrainën.

Sipas Selisë së Shenjtë, rreth 6 mijë besimtarë ishin të pranishëm brenda Bazilikës, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë ndoqën ceremoninë nga Sheshi i Shën Pjetrit, përmes ekraneve gjigante. Para nisjes së Meshës së tij të parë të Krishtlindjes si Papë, Leo XIV përshëndeti sërish besimtarët që qëndronin në shi, duke u drejtuar atyre me fjalët: “Mirë se vini të gjithë, bienvenidos”.