To top
13 Maj

Berisha nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve: Paralajmëron protestë në 16 maj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste të madhe më datë 16 maj, ditën që do të mbahet samiti europian në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi mazhorancën për manipulim masiv të zgjedhjeve të 11 majit.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00, në Bulevardin Zogu I, për të sensibilizuar opinionin publik botëror, mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral, Edi Rama, që nuk respekton asnjë ligj ndërkombëtar për zgjedhjet”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Protesta do të jetë paqësore. Garantojmë se nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e shtetarëve që vijnë, por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”.