To top
14 Maj

Përfundon numërimi për votimin brenda! PS merr 83 mandate, PD-ASHM-50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për zgjedhësit brenda territorit të Shqipërisë. Sipas të dhënave paraprake të publikuara, nga një total prej 3.467.962 zgjedhësish të regjistruar në listat e votimit, kanë marrë pjesë në votim 1.458.251 qytetarë, duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%.

Nga votat e hedhura, 1.402.820 janë konsideruar të vlefshme, ndërsa 55.334 janë shpallur të pavlefshme.

Procesi i votimit nga jashtë vendit mbetet ende i hapur. Deri tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletë votimi nga gjithsej 194.889 të ardhura nga diaspora, që përfaqësojnë rreth 39% të totalit.

KQZ njoftoi gjithashtu se numërimi i votave ka përfunduar plotësisht vetëm në qarkun Kukës, ndërsa në qarqet e tjera procesi është në faza të ndryshme të përfundimit.

Në bazë të rezultateve të deritanishme të publikuara nga KQZ:

-Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka dalë forcë fituese me 775,226 vota, që përbëjnë 52.3% të votave të vlefshme.
-Koalicioni PD-ASHM është renditur i dyti me 503,593 vota ose 33.9%.
-Në vend të tretë, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 56,036 vota ose 3.8%.
-Partia Socialdemokrate ka siguruar 48,352 vota ose 3.3%, ndërsa partia Mundësia ka marrë 45,766 vota, që përbëjnë 3.1%.
-Ndërkohë, Lëvizja Bashkë ka marrë 22,311 vota, duke zënë 1.5% të votave të vlefshme.

Procesi zgjedhor pritet të përmbyllet me përfshirjen e plotë të votave të diasporës, që mund të ndikojnë në përbërjen përfundimtare të mandateve dhe në renditjen e forcave politike në nivel kombëtar.