To top
17 Sht

“Shqipëria 2030”, programi i Qeverisë për 4 vitet e ardhshme

Qeveria shqiptare ka prezantuar programin politik dhe ekonomik për periudhën 2025–2029, të ndarë në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të Gjithë.

Prioritet mbetet anëtarësimi në BE deri më 2030, duke u mbështetur tek digjitalizimi i administratës (“e-Albania 2.0”), përdorimi i inteligjencës artificiale dhe forcimi i shtetit ligjor. Programi përfshin miratimin e kodeve të reja penal dhe civil, uljen e korrupsionit dhe konsolidimin e reformës në drejtësi.

Në aspektin ekonomik, synohet rritje mesatare 4% në vit dhe të ardhura për frymë deri në 15 mijë euro deri më 2029. Masat kryesore përfshijnë uljen e borxhit publik, mbështetje për biznesin e vogël me taksë 0%, nxitjen e startup-eve përmes “Durana Tech Park”, si dhe investime në 700 km rrugë të reja, hekurudha dhe Korridorin Blu.

Në sektorin social, programi parashikon 1000 laboratorë inteligjentë në arsim, transformimin e QSUT në qendër ekselence, zgjerimin e politikave të strehimit dhe mbështetje për familjet, personat me aftësi të kufizuara e të rinjtë. Turizmi, agroturizmi dhe energjia e gjelbër vlerësohen si motorë të zhvillimit.

Qeveria planifikon gjithashtu projekte “Smart City”, përdorim të dronëve për sigurinë publike, reduktim me 30% të fataliteteve rrugore deri më 2030 dhe masa për mbrojtjen e biodiversitetit e luftën kundër ndryshimeve klimatike.