Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Mësohet se një person është futur i armatosur në ambientet e gjykatës dhe ka qëlluar me armë gjyqtarin e Apelit, Astrit Kalaja.
Reagimi i policisë:
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.
Autori i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dyshohet se është shtetasi i identifikuar si Gjon Shkambi.