To top
8 Mar

Adriatike Lami: Jeta mes arsimit dhe letërsisë

Të gjithë e njohin mësuese  Adën, jo vetëm në shkollën “Wilson”, por edhe më tej. Padyshim duhet të jenë të shumtë nxënësit dhe brezat që kanë kaluar nga duart e zyshë Adës, siç dhe e thërrasin nxënësit e saj. Fëmijë të përkëdhelur, të guximshëm, të zotë, kurajozë, tekanjozë, apo ambiciozë. Ariatike Lami është drejtuesja e një shkolle prestigjioze në kryeqytet ku jeta e saj ndahet midis ambjenteve të shkollës, misionit për qenë një nënë e  devotshme në rritjen e vetme, të dy djemve të saj, por dhe të letërsisë, ku shkruan në prozë dhe poezi. Krijimtari e cila dita ditës po vlerësohet mjaft nga botuesit por dhe kritika. Në këto ditë të marsit Ada vjen në një intervistë të jetës dhe karrierës së saj…

 Znj. Adriatike ju prej vitesh gjendeni në sistemin e arsimit, aktualisht drejtoni një nga shkollat më prestigjioze në Tiranë, mund të na flisni pak mbi studimet tuaja dhe karrierën ?

Unë kam mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Dhe po në këtë fushë i kam marrë dhe ndjekur të gjitha llojet e trajnimeve. Kam punuar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar që nga mësuese, shefe departamenti, nëndrejtore, drejtore, specialiste në fushën e inspektimit dhe trajnimit, specialiste e testeve kombëtare në Drejtorinë arsimore të Tiranës dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Kam punuar në arsimin publik dhe jopublik, kam punuar dhe dhënë mësim që nga klasa e pestë deri në të 12-tën. Për rreth 6 vite kam dhënë mësim në arsimin universitar, në lëndën e letërsisë për fëmijë dhe metodikë e tekstit letrar. Kjo sigurisht që konsiderohet edhe në botë një karrierë e suksesshme.Për asnjë moment nuk kam reshtur së mësuari edhe vetë. Ndjek konferenca dhe aktivitete të ndryshme të fushës, ndjek dhe marr pjesë në debatet për arsimin, më pëlqen psikologjia shkollore dhe rolet e reja të shkollës, mësuesit dhe komunitetit. Më pëlqejnë risitë kur ato nuk cënojnë traditën e mirë dhe nuk u japin dhe në fëmijëve ,mësuesve dhe prindërve. Ndërkohë prej 4  vitesh jam pjesë e grupeve të punës së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar në lëndët gjuhë dhe letërsi. Është një eksperiencë fantastike, e gjallë, e larmishme dhe plot kontribute për të cilat merr edhe vlerësime. Sigurisht që kjo është një marrëdhënie jep e merr. Siç kam dhënë, edhe kam marrë pafund. Puna në arsim është gjeneruese. Aktualisht sfida ime është në një nga shkollat më të mira jopublike, shkollën “Wilson”. Ndonjëherë them edhe kampusit “Wilson”, sepse specifikisht kemi fëmijë dhe nxënës që nga 2 muajsh e deri 18 vjeç, kemi të gjithë nivelet e arsimit e shërbimit, edhe sistem konvikti, etj. I përmenda këto për të thënë që të drejtosh sot një shkollë të njohur është jo thjeshtë sfidë, por përgjegjësi e dyfishtë. Të duhet të jesh vazhdimisht në perfomancë të shkëlqyer për të ruajtur traditën dhe për të krijuar risi.

 

Përse zgjodhët këtë degë, a kishit alternativë tjetër?

Arsimi ka qenë një ndër tri ëndrrat e mia, e ushqyer që në fëmijëri  dhe veçanërisht nga im atë. Një fëmijëi rritur me libra dhe me prindër të fushës, kjo sigurisht jo rastësisht do më shtynte me kohën drejt shkollës. Në fund të viteve ’90, u zhvillua për rreth dy vite një konkurs kombëtar në të cilin unë isha edhe fituese e rrethit të Durrësit, por edhe në rang kombëtar. Kisha ndërkohë edhe shumë botime e çmime letrare.Kështu destinimi ishte i qartë. Mund edhe të mos kish ndodhur, pasi fillimet e viteve ’90 e më pas u shoqëruan me një liri të zgjedhjes në arsimim. Nëse nuk do më kishte pëlqyer, do ta kishe ndërruar ose me psikiatrinë, ose me diplomacinë, ose vetëm me psikologjinë shkollore, fushë të cilën e zgjeroj e integroj sot edhe në punën që bëj.

 

Si është të punosh me fëmijët, sa e vështirë është? Cilat janë problemet që ato shfaqin nga njëri brez në tjetrin?

Fëmijët sot lexojnë pak, dëgjojnë pak. Nuk përqendrohen, por kanë veti të jashtëzakonshme të bëjnë mirë atë që duan, duan gjëra të thjeshta, praktike, gjëra që i nderojnë, gjëra që të mos kenë turp t’i bëjnë. Ka dy këndvështrime sot, madje tre; njëra linja e ashpër që ndeshet më pak. E dyta ajo liberale që ndeshet shpesh dhe tjetra linja alternuese. Mendoj drejt kësaj duhet të synojmë ndonëse e treta është më e vështira. Sepse është më e lehtë të jesh i ashpër ose tolerant dhe kërkon shumë punë të jesh intregrues. Nxënësit sot janë më  çapkënë, të përdorin situatat, të kthejnë përmbys gjithçka. Kolegët i këshilloj të jenë më sportivë. Por nxënësi beson te profesionisti i mirë. E dallon atë menjëherë që larg. Dhe ndalet para tij. Për këtë ju siguroj. E keni parasysh një fëmijë që thotë: Kam të drejtat e mia? Kjo është fantastike…. e keni parasysh një fëmijë që thotë nuk e bëj këtë sot? Do ta bëjë nesër. Duhet kuptuar sigurisht që të mos më keqkuptojnë pjesa tjetër që ka gjithmonë një kufi që nxënësi nuk duhet ta kapërcejë. Një mësues a drejtues i mirë e dallon këtë dhe kujdeset ta ndalë në kohë. Nxënësi sot po ndeshet me mungesën e dëshirës për të studiuar, po ndeshet çdo ditë e më shumë me bulizmin, me ndryshimet sociale apo me presionin e rrjeteve sociale. Por nga ana tjetër kemi fëmijë të jashtëzakonshëm si Pipi, fëmijë shkencëtarë, fëmijë që dinë të fitojnë, fëmijë të bukur në shpirt. Kemi edhe ata fëmijët me nevoja të veçanta, që janë aq mirënjohës dhe thonë shpesh faleminderit. Oh, sa punë ka shkolla që këta fëmjë të pranohen.

 

A ka kritere që fëmijët duhet të plotësojnë për t’u pranuar në shkollën tuaj?

Këtë pyetje ma bën çdo prind që hyn në zyrën time, pasi shumë shkolla luajnë sot me kriteret. Unë po përgjigjem me një pyetje: Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një fëmijë i sistemit parauniversitar për të ndjekur shkollën që synon të bëhet edhe në të mesmen e detyrueshme? Shkolla duhet të ketë larmi nxënësish, karakteresh, nivelesh, të ndeshet me sfidat dhe procesin e integrimit. Në shkollë kanë vend nxënësit me performancë të shkëlqyer, të mesme dhe të dobët, fëmijët me etikë shembullore dhe ato me probleme, fëmijët e talentuar dhe ata që për momentin janë më të mbyllur, fëmijët me nevoja  specifike gjithashtu. Kurrë nuk i kam thënë dikujt që t’i nuk je për këtë shkollë. Nuk mundem të pranoj një sistem rekrutimi, permes konkurime për klasat e para, apo olimpiada për të vegjlit. Tjetër gjë janë aktivitetet dhe konkurimet e lira, tjetër gjë janë ti rendisësh të vegjlit për të merituar bankën e shkollës.

 

Shkollat private përballë atyre publike.  Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet ?

 

Sigurisht që ne jemi shkollë jopublike dhe jo të gjithë e kanë mundësinë të paguajnë shërbimin e fëmijës së tyre, por kjo pamundësi nuk i duhet kthyer shkollës private si pamundësi e saj për të qenë më e mirë se shteti. Unë besoj dhe  them se një shkollë e mirë private është realisht një mundësi e jashtëzakonshme kujdesi dhe performance për fëmijën. Arsimi dhe edukimi kanë nevojë të gjithkohshme për ndryshim dhe për qasje të reja.T’i mbash sytë hapur, mendjen ndezur dhe zemrën të madhe. Një shkollë private të kërkon gjithmonë në gadishmëri. Nuk duhet të biesh në rutinë, atë që e quajmë përgjumje. Të duhet në të njëjtën kohë të marrësh vendime, ndoshta më shumë se çdo mësues a drejtues tjetër në një shkollë publike a jo publike. Por ka një lehtësi. Vendimarrjet  nuk munden nga rutina burokratike shtetërore dhe as nga presioni karakteristik në shtet, nga politika a diçka tjetër. Ndërkohë në një shkollë të tillë nuk ndihesh kurrë vetëm në punën tënde, as pamjaftueshëm. Punohet shumë bashkë dhe në grup. Një shkollë private si “Ëilson” ka avantazhe të jashtëzakonshme. Madje këtu vështirësitë që hasin natyrshëm shkolla të tjera të kthehen në avantazhe. “Ëilson” është institucion, ka infrastrukturë dhe natyrë të paparë të pagjendur diku tjetër, ka përvojë të mjaftueshme, mësues të vjetër dhe të rinj. Koha ka rrjedhur, aty mëson se të jesh i vogël dështon, të jesh jo kreativ të mundin, të jesh arkaik largohesh. Qasja me nxënësin dhe prindërit po shihet në një këndvështrim tjetër. Mësuesi ka liri, synohen projekte dhe prakticiteti është fryma jonë. Kujdesemi dhe komunikojmë shumë për të arritur më tepër. Ky është çelësi tjetër. Integrojmë forma dhe tregues të ndryshëm. Mendoj gjithashtu që në sfidat e arsimit të sotëm një shkollë private, duhet të konkurojë fuqishëm jo vetëm me raportet që vendosen me rezultatet, pasimin e nxënësve në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha me një shkollë pa stres dhe me tregues të forte  integrues.

 

Ju njëkohësisht jeni një poete mjaft e talentuar keni botuar një sërë librash dhe jeni nderuar dhe me çmime të ndryshme, si po ecën kjo fushë?

 

Unë kam shkruar që fëmijë dhe që atëherë kam fituar çmime në konkurse tëndryshme. Kam botuar gjithashtu që herët. Por librat kanë ardhur më vonë. Shqipëria ndryshoi shpejt për brezin tim. Të ndeshurit me situata të reja dhe përballja me një letërsi të panjour fillimisht më stopoi, më pas fitova aftësitë dhe shprehi  të njeriut që udhëhiqet nga frymëzimi. Kam shkruar disa libra me poezi dhe poema: “7 Prajmet e udhës sime”, “Lulnimi I mureve”, “Krilla t’kuqe dhe burra t’huaj”, “E re reja jote”, “N’shtator bëhet verë”, “Ne flasim për dy botë të ndryshme” dhe libri i dalë së fundmi është “Burri që më do mua”. Tregu i poezisë në Shqipëri ështëi vështirë dhe ndonëse kam një botë të mbushur me frymëzim, stopohem, sepse vendos prioritet të tjera mbi artin e shpirtin krijues, si  fëmijët dhe puna, mbijetesa  dhe qenësia dalin gjithmonë të parat. Do kisha dashur tëk isha më shumë kohë për të shkruar, më shumë liri për ndarjen e saj. Ndoshta në të ardhmen do të jetë pak më ndryshe.

 

Nga se frymëzohet vepra juaj, cila është tematika që zgjidhni dhe përse?

Vepra ime është e gjitha një poemë për dashurinë dhe jetën, ndonëse personazhet e vargjeve të mia janë të vdekur dhe të gjallë.  Poezia ime ka personazhe, ka tematikë, ka subjekt, ka filozofi. Nuk di nëse do isha ndryshe. Por është mirë kur njeriu shkruan për gjërat e tij. Unë shkruaj për atë që më rrethon mua. E kthej në një dialog me botën, formë komunikimi që i jep poezisë sime vetinë e universales aq sa mundet. Dikur mendoja se jam më e zonja dhe e zgjedhur për prozën. Tashmë mendoj që kosherja ime më e mire është poezia. Hë për hë do vazhdoj të qëndroj këtu.

Së fundmi më thatë se do të jeni prezente në Angli për të promovuar botimet tuaja diçka më shumë?

Po, kam plane të afërta dhe të largëta. Dua që t’i jap tjetër fryëmarrje poezisë sime. Shpresoj pa nxitim tani jashtë kufijve se poezia dhe arti fitojnë peshën e vërtetë, kur thyejnë kufijtë, ndonëse sot rrjetet sociale kanë krijuar dhe një tjetër urë komunikimi  midis poetit, artistit dhe lexuesit a admiruesit të tij.

A ka diçka në proces nga ana juaj e krijimtarisë?

Gjëra të mira shumë. Së shpejti. Poema, ese dhe prozë e shkurtër tregimtare. Kam në dorë një përmbledhje me poemat më të mira si edhe një ese mbi dashurinë.

Ju  jeni  një nënë e përkujdesur për dy djemtë tuaj sa e vështirë ka qenë që ju të ruani këtë ekuilibër, një grua në karrierë, dhe nënë e përkushtuar?

Kur jam bërë nënë kam menduar të le gjithçka dhe të merrem vetëm me djemtë e mi. Kaq e forte është tek unë kjo ndjenjë. Asgjë nuk është para djemve të mi. Asgjë. Por me kohën njeriu kupton se mund t’i bëjë edhe gjërat e tjera, paralel ose pas familjes. Thonë që jam një grua e fortë. Unë them se jam një grua ku feminiliteti ka marrë format më të larta dhe dimensionet më të plota. Kjo është arsyeja që deri më tash kam gjetur udhë edhe atëherë kur fati më ka vendosur pengesa. Ka gjëra mbi të cilat një grua nuk mund të dalë, por ka gjëra mbi të cilat mund të dalësh. Të rritësh fëmijë, të punosh në arsim dhe të shkruash poezi, një grua si unë mund t’i bëjë mirë. Kam rritur thuajse vetëm dy djemtë e mi. Ne jemi një kombinim fantastik. Momenti i parë ka qenë i vështirë, gati – gati prometeik. Nga një familje e madhe u bëmë një familje e vogël. U zvogëlua çdo gjë, por u rrit një diçka tjetër. Ne duhet të jetonim. Nuk them se e kam gjetur vetëm çelsësin. Zgjohesha në mëngjes me dy fëmijë të vegjël dhe pyesja më zë të lartë. I vogli më përgjigjej gjithmonë. E çuditshme, por në çdo përgjigje të fëmijëve të mi ka qenë i fshehur çelësi për çdo zgjidhje.

Të ruash ekulibrin, kjo është e gjitha: në momente të vështira vetëm të duhet të vendosësh: Të jetosh apo të ndalosh? Është edhe të zgjedhësh, edhe të gjesh mekanizmat. Më pas ekuilibri  i vërtetë është dashuria. Nuk ka ekiulibër pa dashuri. Nëse atë e shmang nga vetja, e fajëson, e denigron, nëse nga ajo pret shpëtim pa lëvizur as gishtin dhe nëse e dënon ekulibri nuk vjen. Harmonia dhe qetësia, stuhia dhe zhvillimi arrihen kur t’i kërkon vazhdimisht energjinë dhe prezencën e dashurisë. Zot mos na lër pa të. Dashuria nuk duhet kthyer në pushtet, por duhet trajtuar si një shpirt delikat që çdo ditë duhet ta shohësh se si duket në dritën e diellit. Dhe mbi të gjitha duhet të pranosh. Të ngrihesh e të ringrihesh. Asgjë nuk ndodh vetëm njëherë.