To top
10 Mar

Alberto Cutillo: Partitë politike, jo vetëm akuza duhet të dialogojnë

 

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, vjen në një intervistë për revistën “Elite”.  Në rrëfimin e tij, Cutillo shpreh angazhimet si ambasador i akredituar në Tiranë, bashkpunimin dhe dialogimin me maxhorancën dhe vlerësimin e tij mbi ecurinë dhe përmbushjen e standarteve të  vendit tonë drejt aspiratës për në familjen e madhe Europiane. Kontaktet e vazhdueshme me partitë politike, situatën aktuale ekonomiko- politike në Shqipëri, dhe në Itali, si dhe këshillën për partitë kryesore në vend  që mes tyre të ketë dialogim, jo vetëm kuza të ndërsjellta…

Z. Ambasador në rezidencën tuaj sapo u zhvillua një mbrëmje bamirësie me maska, monedhat e të cilave shkuan për bamirësi, e kujt ishte ideja dhe përse mund të ndihmojnë këto të ardhura?

Ideja lindi nga dëshira për të hapur rezidencën e Italisë edhe për aktivitete jo-formale prandaj me bashkëpunëtorët e mi, menduam të organizonim një mbrëmje me rastin e karnevaleve. Është një  festë që kremtohet shumë në Itali, e lidhur ngushtë me kulturën dhe traditën tonë, por që ndryshe nga shumë festa të tjera nuk ka “kaluar” në anën tjetër të Adriatikut.

Në këtë rast dëshira jonë ishte të lidhnim anën festive dhe të promovimit të Italisë me angazhimin social, përmes një lotarie bamirësie, të ardhurat e së cilës i janë dhuruar tërësisht Shoqatës italiane Betania, që vepron në territorin e Shqipërisë që prej vitit 1998, në fshatin Bubq (Fushë Krujë). Shoqata strehon fëmijë që hasin vështirësi ose dhunë dhe bën ndërhyrje urgjente me karakter social, si për shembull shpërndarja e ushqimeve për familjet në nevojë, ristrukturimi e disa shkollave dhe ndihma e parë në raste përmbytjesh.

 

(Ambasadori italian, Alberto Cutillo gjatë mbrëmjes së bamirësisë orgnazuar me Shoqatën italiane “Betania”, në rezidencën italiane )

Si e pritën të ftuarit tuaj këtë kauzë, a e përqafuan ata këtë nismë, pasi bamirësia në Shqipëri është jo shumë evidente kjo dhe për shkak se është një vend i vogël dhe i varfër disi? A mendoni se janë të mjaftueshme apo shpeshherë duhet të zhvillohen më shumë ngjarje dhe evente të tilla?

Nisma u prit me shumë entuziazëm, sa që shumë nga të ftuarit, edhe kur nuk kishin mundësi të merrnin pjesë personalisht në mbremjen gala, u bënë gjithsesi pjesë e saj duke blerë biletat e lotarisë. Ishte pozitive edhe përgjigjja e sponsorëve, Grandi Navi Veloci dhe Sartoria Italiana Garbin, të cilët kontribuan duke vënë disa çmimet në dispozicion. Nga ana jonë u angazhuam për ta organizuar nismën me transparencë maksimale, si një aspekt thelbësor për t’i ofruar garanci publikut.

Unë besoj se çdo mundësi është e dobishme për të përhapur kulturën e bamirësisë dhe suksesi i kësaj nisme na inkurajon që ta përsërisim edhe në të ardhmen.

Z. Ambasador le të kthehemi pak në aktualitetin tonë politik, ju jeni një diplomat karriere dhe prej dy vjetësh gjendeni në Tiranë një sërë ndryshimesh politike kanë ndodhur flitet gjithnjë e më shumë për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit si do ta përkufizioni gjendjen aktuale në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra nga klasa politike si po ecin?

Së pari, unë mendoj se është pozitive që, në krahasim me të kaluarën, sot kemi arritur një ndërgjegjësim më të madh në lidhje me përmasat e fenomenit të korrupsionit dhe krimit si dhe për faktin se këto fenomene paraqesin një pengesë për zhvillimin e Vendit.

Qeveria shqiptare, pas miratimit të reformës ambicioze dhe komplekse të sistemit të drejtësisë, tani është e angazhuar në reformimin e forcave të policisë, nëpërmjet hartimit të një strategjie dhe miratimit të një ligji të posaçëm.

Numri i personave të arrestuar dhe të gjykuar për korrupsion ose akte kriminale, pra ajo që quhet “track record”, është ende shumë i ulët, sidomos nëse i referohemi niveleve më të larta. Pikërisht në këtë kontekst, komuniteti ndërkombëtar por besoj,mbi të gjitha, qytetarët e ndershëm shqiptarë, presin një hov përpara.

 

Mendoni se Shqipëria është në rrugën e duhur për tu anëtarësuar në familjen e madhe Europiane apo duhet dhe shumë rrugë e shumë punë?

Shqipëria deri tani ka qenë e angazhuar në reforma të rëndësishme dhe të thella dhe ka treguar se është e lidhur fortë me idealet evropiane, të cilat gjejnë mbështetje të gjerë tek  qytetarët. Tani hapet ajo që ne diplomatët e quajmë “dritare e mundësive”dhe që duhet detyrimisht të shfrytëzohet. Për ta bërë këtë, është e domosdoshme që të zbatohen reformat legjislative, për shembull në fushën e sistemit gjyqësor dhe të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Duhet tëjapin rezultate konkrete sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo varet nga të gjitha autoritetet shqiptare, si nga shumica ashtu edhe nga opozita, të cilët duhet të tregojnë angazhim maksimal të përbashkët kundrejt një objektivi të përbashkët … dhe mbi të gjitha për të mirën e qytetarëve.

 

Si do ta përkufizonit qeverisjen me kryeministrin Edi Rama, opozita ka një sërë ankesash me mënyrën se si janë zhvilluar së fundmi disa prej zhvillimeve politike, korrupsioni, papunësia, blerja e votës, apo  siç qe përzgjedhja e kryeprokurores së përkohshme të përgjithëshme, ato e konsiderojnë antikushtetuese?

Një ambasador nuk shpreh mendime apo gjykime mbi qeverinë pritëse, por vëren përparimin që vendi regjistron në përballjen me sfidat që Qeveria dhe Parlamenti i identifikojnë si parësore. Reformat e zbatuara deri më tani sigurisht kanë hedhur themelet dhe kanë siguruar mjetet ligjore për t’u përballur me vendosmëri me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sa i përket kritikave të opozitës, ato më duket një fakt normal, që ndodh në të gjitha demokracitë. Urimi im është që partitë politike të dinë dhe të duan të dialogojnë, përveç se të shkëmbejnë akuza ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht në lidhje me çështjet më të rëndësishme për qytetarët.

 

Pikësëpari duhet që drejtësia shqiptare përpara se të arrijë në arrestime të tilla, ajo ka nevojë për një spatstrim në radhët e drejtësisë të largohen të korruptuarit a mendoni se do të largohen në të vërtet këta individë?

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve – një model i paprecedent, zbatimi i të cilit monitorohet nga një konsorcium ndërkombëtar ku bën pjesë edhe Italia – ka pikërisht këtë qëllim. Ngritja e komisioneve dhe shqyrtimi i rasteve të para kërkoi kohë, por tani sistemi po funksionon dhe mua më duket se po jep rezultate të rëndësishme, sidomos nëpërmjet dorëheqjes së funksionarëve që me sa duket nuk duan të përballen me rivlerësimin. Prandaj kam bindjen se sistemi gjyqësor shqiptar po hyn në një fazë  rinovimi dhe shpejt do të shohim rezultatet për të gjithë qytetarët e ndershëm.

 

Si një ambasador mik i Shqipërisë, a konsultoheni shpesh me maxhorancën, apo forcën politike,  dhe çfarë shihni diçka  që duhet të ndryshojë patjetër, për të mirë të vendit, qoftë tek maxhoranca apo dhe tek qëndrimi i

 opozitës, që shpeshherë nuk pëlqehet dhe nga ndërkombëtarët?

Si ambasador kam konsultime të shpeshta me të gjitha partitë politike. Ajo që ne presim, nga shumica dhe nga opozita, është një mbështetje e plotë dhe e njëzëshme për procesin e reformave. Të dyja palët ndajnë përgjegjësinë për të bërë të mundur që reforma e gjyqësorit të jetë efektive dhe të prodhojë rezultatet që qytetarët shqiptarë dhe BE-ja presin dhe dëshirojnë. Siç e thashë, ky rezultat arrihet brenda kornizave të roleve si të shumicës ashtu edhe të opozitës, por gjithnjë duke pasur dialogun si instrument kryesor.

 

Së fundmi mes Italisë dhe Shqipërisë është duke u zhvilluar një hettim, i një çështje tejet sensitive, e një grupi struktural kriminal, ku dyshohet se në të përfshihet dhe  ish ministri Saimir Tahiri.. cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky hetim?

Nuk mendoj se mund të shprehem për një çështje aktualisht në hetim. Por mund të them se shpresoj që në këtë dhe në çdo hetim tjetër, prokuroria të mund të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa presione të çfarëdo lloji.

 

Në Itali sapo u zhvilluan zgjedhjet e reja, çfarë mendoni se do të sjellin këto zgjedhje për vendin tuaj?

Në Itali u votua më 4 mars dhe rezultati i zgjedhjeve ravijëzon një parlament ku arritja e një shumice që të mbështesë qeverinë e ardhshme do të kërkojë negociata midis palëve. Parlamenti do të mblidhet më 23 mars dhe vetëm prej asaj date do të jemi në gjendje të kemi një ide mbi rezultatet e këtyre negociatave. Ndërkohë Qeveria mbetet në detyrë dhe siguron vazhdimësinë e veprimtarisëpolitike dhe administrative.