To top
10 Qer

Gjin Gjoni padit dy gazetarët e BIRN: Dua dëmshpërblim, më shkaktuan ‘vuajtje shpirtërore’

Me pretendimin se raportimet mbi hetimet penale dhe vendimet gjyqësore përkatëse mbi pasurinë e tij familjare i kanë shkaktuar cënim të imazhit, dëm jomaterial dhe dhimbje e vuajtje shpirtërore,
gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi ngritën një padi ndaj Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania si dhe ndaj gazetarëve Besar Likmeta e Aleksandra Bogdani. BIRN raporton gjithashtu se Gjoni ka ngritur një padi të ngjashme ndaj një gazete të përditshme dhe 2 gazetarëve të saj.

Duke iu referuar tre shkrimeve të publikuara nga BIRN Albania në publikimin e vet në internet Reporter.al, Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi pretendojnë se u është cënuar nderi dhe dinjiteti si dhe u është shkaktuar dëm jopasuror dhe për këtë arsye kërkon dëmshpërblim të përgjithshëm prej 7 milionë lekësh nga BIRN Albania dhe dy gazetarët. Gjoni kërkon gjithashtu një dëmshpërblim prej 4 milionë lekësh nga një gazetë e përditshme dhe 2 gazetarët e tjerë në një çështje paralele.

BIRN Albania bën të ditur se i qëndron shkrimeve të publikuara dhe se është e gatshme të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet, duke e konsideruar padinë civile të ngritur nga gjyqtari si të pabazë.

“Shkrimet e botuara të sipërcituara, i kanë shkaktuar paditësve një dëm shumë të lartë moral, kjo pasi, të akuzosh një gjyqtar të Gjykatës së Apelit, njëkohësisht anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe një ortake dhe administratore shumë të suksesshme në biznesin e saj, i kapërcen kufijtë e imagjinatës dhe çdo kufi të lirisë së shprehjes, duke përbërë në vetvete vepër penale,” thuhet në padi.