To top
21 Pri

‘Ligjet’ miratojnë shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Karantina zgjatet edhe dy muaj

Me dy vota abstenim, është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve shtyrja e Fatkeqësisë Natyrore deri në 23 qershor. Në mbledhjen e zhvilluar online ditën e sotme, dy deputetët e opozitës Alban Zeneli dhe Andi Përmeti abstenuan, me këtë të fundit i cili tha se nuk është kundër shtyrjes së Fatkeqësisë, por kërkoi më shumë argumente për këtë vendim.

Në përgjigje të kërkesës së Përmetit, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacoli tha se është e nevojshme kjo kohëzgjatje për shkak se specialistët kanë parashikuar që të ketë një rritje të të infektuarve gjatë 14 ditëve si pasojë e masave lehtësuese.

Në këtë mënyrë, sqaroi Rakacolli është e nevojshme që të vijojë gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, në rast se do të jetë e domosdoshme për të bërë hapa pas më të rrepta. “Ka ardhur momenti që të gjykojmë që këto masa të lirohen, por duke qenë se e gjithë merita është pikërisht te këto masa. Nga lirimi i tyre specialistët presin që të ketë raste të shtuara duke qenë se një pjesë e të prekurve janë asimptomatik, prandaj këto masa do të jenë graduale. Duhet që të presim minimumi dy javë që të vlerësojmë nëse do ketë rritje ose jo, dhe nëse do ketë, që gjasat janë po, dhe që të kthehemi sërish aty. kjo do të na ndihmojë për të vazhduar që të kontrollojmë situatën. Është e domosdoshme që të vazhdojmë ta kontrollojmë”, tha Rakacolli.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministri i Rindërtimit dhe përgjegjës për situatën e COVID-19, Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se zgjatja e fatkeqësisë Natyrore do të shërbejë për mbajtjen në kontroll të të infektuarve.

Me 2 vota abstenim të Alban Zenelit dhe Andi Përmetit, Komisioni i Ligjeve miraton në miratim shtyrjen e Fatkeqësisë Natyrore deri më 23 qershor.