To top
10 Nën

Marlon Dino rrëfehet prej teatrit të Myniut

Zoti Marlon, për tri vite rresht revista “Danc e Europe” ju ka shpallur balerinin më të mirë në Europë. Si u ndjetë kur mësuat për këtë vlerësim?
 Që të jem i sinqertë me ju, kur shoh balerinë të tjerë them me vete: “Këta qenkan fantastikë në teknikë!”. Por, me sa duket, balerinët nuk vlerësohen vetëm nga teknika. Ndaj edhe unë jam shumë i kënaqur që më vlerësojnë si artist, dhe jo vetëm si balerin.
 Ku qëndron vlerësimi i kritikëve dhe i specialistëve, kur ju kanë vlerësuar në teknikën tuaj të kërcimit, për t’ju shpallur pikërisht si ndër më të mirët?
 Mundohem të mos lexoj shumë nga ato që shkruhen për mua, se pastaj e gjithë kjo më ndikon në mënyrën e kërcimit. Vlerësimi i kritikëve është i rëndësishëm, por ai që të vlerëson tamam, me shumë sinqeritet e dashuri është publiku. Te duartrokitjet e publikut janë emocionet e vërteta, jo nëpër revista dhe gazeta. Publiku është ai që t’i jep ndjenjat e forta në skenë. Ndaj edhe besoj se kritikët bazohen shumë te vlerësimi i publikut.
 Aktualisht punoni në Teatrin Shtetëror të Myniut, ëndërr e mjaft të rinjve dhe e vetë artistëve vendas. Sa e vështirë ishte për të depërtuar në dyert e këtij teatri? Mund të kujtoni diçka, kur ka ndodhur dhe si?
 Në fillim ishte e vështirë. Në kohën kur bëra audicionin për këtë teatër, kontratën ia dhanë një balerini tjetër. Ndërsa pas gjashtë muajve më telefonuan dhe ma ofruan mua atë kontratë. Sigurisht që e pranova. Por vitet e para kanë qenë të vështira, sidomos për një shqiptar që mundohet me gjithë qenien e tij të tregojë krenarinë se nga vjen dhe se çfarë do të arrijë në karrierë.
 Mund të na flisni pak për kalendarin tuaj artistik?
 Kalendari im artistik është shumë i ngjeshur. Çdo javë kam ftesa të ndryshme për të dhënë shfaqe në teatrot e botës. Mundohem që të pranoj sa më shumë nga këto ftesa, sepse jeta e një balerini është e shkurtër. Agjenda është plot, deri në vitin 2016, për të interpretuar në teatro madhështore, si Bolshoi Theater në Moskë, Marinsky Theater në St Petersburg, New York, Tokio etj.
 Në cv tuaj numërohen mjaft çmime dhe vlerësime prestigjioze, kujt ia dedikoni gjithë këtë arritje?
 Në radhë të parë prindërve të mi, për mbështetjen e pakursyer që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve të karrierës sime artistike. Ata asnjëherë nuk kanë dyshuar në aftësitë e mia. Por një mirënjohje e madhe dhe nderim i përhershëm është edhe për profesorin e nderuar Agron Aliaj, si dhe për profesorit tim në Gjenevë, David Allen. Këta janë njerëzit që s’do t’i harroj kurrë.
 Të kthehemi pas në kohë, ju i takoni atij brezi të diplomuar pas viteve 90. Si erdhi përfshirja juaj në këtë fushë? Ishte një dhunti, dëshirë apo ndjenjën për artin e keni të trashëguar?
 Të them të vërtetën, kur nisa rrugëtimin e gjatë e të vështirë të këtij arti isha fëmijë dhe baleti nuk ishte tek ëndrrat e mia. Por nëna ime qe ajo që diçka dalloi te temperamenti dhe te fiziku im, ndaj dhe më shtyu të ndjek shkollën e baletit, sigurisht duke pasur në mendje edhe një të ardhme më të mirë për mua. Unë vetë nuk mendoj se jam shumë i talentuar në balet, por puna dhe pasioni janë tregues të rëndësishëm që t’ia dalësh mbanë. Mendoj se kushdo, në çdo fushë të jetës, po pati pasion dhe vullnet mund të arrijë gjithçka që dëshiron.
Ju keni interpretuar mjaft role, cilin prej tyre do të veçonit apo që do të donit t’i riktheheshit?
 Rolet më të bukura për mua janë ato dramatike. Onegin në baletin “Onegin”, Armand në baletin “Zonja me kamelie” dhe Petrucjo në baletin “Zbutja e kryeneçes”.
 Keni interpretuar me mjaft artistë të huaj dhe shqiptarë, por partnerin kryesor keni bashkëshorten tuaj, balerinën mjaft të njohur Lucia Lacarra. Kë do të vlerësonit më shumë?
 Po, vërtet kam kërcyer me shumë yje nëpër botë, por ajo që unë vlerësoj më shumë është bashkëshortja ime. Kjo ndodh se Lucia është një artiste e kompletuar, ndërsa partneret e tjera, të cilat janë yje të vërteta, për mua  janë vetëm balerina shumë të mira. Por si është më mirë, të jesh i vlerësuar si balerin apo si artist? Dhe përgjigjja është gjithmonë si artist.
Cilët janë artistët e huaj që kanë lënë gjurmë në formimin tuaj? Po nga shqiptarët, kë do të vlerësoni?
 Balerini Kirill Melnikov, pjesë e trupës së kompanisë sonë, më ka ndihmuar shumë. Ai më mori dhe më tha: “Ti duhet të bëhesh balerini i parë këtu!”. Dhe punuam bashkë për tre muaj rresht. Pas tre muajsh, drejtori më bëri solist, pasi pa një ndryshim shumë të madh tek unë. Dhe pastaj vjen Lucia Lacarra, që m’i hapi sytë dhe më bëri të shoh se nuk duhet të jesh vetëm balerin dhe që di të kërcesh, porse duhet ta ndjesh atë që kërcen.
 Si është dita juaj në Mynih?
 Punë, punë, punë.
 Cilat janë hobet tuaja? Me aq sa dimë, ju keni sfiluar edhe për emra të mëdha markash prestigjioze?
 Elektronika më tërheq shumë. Por dhe si model kam pasur shumë sukses. Armani, Versace, Zegna Gucci etj., kanë qenë një eksperiencë shumë e bukur. Shpresoj që të kem mundësi dhe kohë – sidomos për këtë më shumë – për modeling.
 Në një intervistë jeni shprehur se baleti shqiptar ka mbetur në vend ose, më mirë të themi te teknikat e vjetra. Sipas jush, baleti duhet t’i kthejë sytë nga teknikat e shkollave europiane dhe, nëse po, ku e shihni më së shumti këtë?
 Në Europë gjendja ka ndryshuar shumë dhe mendoj që baleti kontemporan të ndihmon për t’u bërë një balerin akoma më i mirë klasik, pasi ka avantazhe të tjera nga baleti klasik. Je më i lirë kur kërcen balet modern. Kurse në klasike lëvizjet janë më statike. Kështu që, po të bashkohet baleti modern me atë klasik, bëhesh më i kompletuar.
 Aktualisht, sapo është emëruar drejtori i ri i Tetarit Kombëtar të Operës dhe Baletit, cili është mendimi dhe opinioni juaj për të?
 Ilir Kerni mendoj që ka ide të mira, por mundësitë janë të pakta. Mendoj se me këmbëngulje ai do ta rimëkëmbë Tetarit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ai është shumë i pasionuar pas artit dhe vetëm me pasion mund ta ndryshosh të ardhmen.
 Jeni shprehur se të kërceni në skenën shqiptare është një dëshira juaj e kahershme. A e keni ju një projekt për t’u rikthyer në skenën shqiptare?
 Dëshira është e madhe. Shpresoj që të kemi projekte me drejtorin e TOB-it, Ilir Kernin, dhe së bashku të bëjmë diçka të bukur për baletin shqiptar.