To top
15 Dhj

Sandër Lleshaj, Pse nuk kërkuat ndjesë publike?

Pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm, tre ditë pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie, Sandër Lleshaj ka shkuar për të takuar familjarët e 25 vjeçarit të ndjerë.

I pyetur në Real Story se pse nuk kërkoi ndjesë publike ndaj familjes Rasha, Lleshaj tha se akti i dorëheqjes është ndjesa, dhe pas këtij akti vendosi të shkonte në shtëpinë e familjes së Klodianit.

Në media nuk është pasqyruar vizita e tij, ndërsa ish ministri shton se nuk i jep dimension mediatik dhe publik veprimeve të tij: ‘Ishte reagim krejt dinjitoz i një familje dinjitoze shqiptare që di të analizoje edhe në kushtet e një situate mjaft tragjike’, tregon ish ministri për takimin me familjarët e Klodianit.

Pjesë nga Intervista për gazetarin Sokol Balla:

Mos do kishte më sens që të kishit kërkuar ndjesë publike? Mos duhet që ende ti kërkoni ndjesë familjes Rasha?

Lleshaj: Kam qenë tek familja, nuk i jap dimension mediatik publik, patjetër që e kam kërkuar ndjesën familjes, isha në cilësinë pasi hoqa titullin se doja të shkoja pasi të kem kryer një gjest, një akt, për të shprehur disa fjalë. Fjalët ndonjëherë kanë peshën e duhur. Fjala e shoqëruar me një akt është ndjesa.

Cili ishte reagimi i tyre?

Lleshaj: Ishte reagim krejt dinjitoz i një familje dinjitoze shqiptare që di të analizojë edhe në kushtet e një situate mjaft tragjike, nuk kanë arritur të humbasin kthjelltësinë. E prisja, ishte reagim i pritshëm, e di që një familje e kësaj natyre e këtij konteksti reagon kështu.