To top
8 Kor

Shqiptarët pushojnë duke u grindur!

Nga Kim Mehmeti

Velipoja është vendpushim i mrekullueshëm. Dhe sa mirë ndjehet njeriu kur e sheh bregdetin shqiptar të stërmbushur me pushues, edhe pse shpeshherë, ai bregdet të duket si i lënë në mëshirën e atyre, të cilët, sikur të mundeshin, edhe diellin do e lidhin me tel dhe, do e kallnin e do e fiknin sipas dëshirës së vet dhe kuptohet, do e linin të rrezatonte vetëm mbi pushuesit që kanë paguar!

Po pra, Velipoja është përplot me pushues shqiptarë, nga gjitha trevat tona, e të cilët jo rrallëherë janë dëshmitarë të grindjeve mes shitësve të misrave të pjekur, të petullave…, si dhe mes pushuesve të njërës çadër, me ata të çadrës fqinje! Dhe gjithmonë, shkak i grindjes është ‘territori’ i ‘pushtuar’ nga tjetri! Me çka ke përshtypjen se, o ne shqiptarët jemi bërë shumtë grindavecë, o toka e qielli, nuk na japin aq sa na takon, e aq sa duam!
Menjëherë përtej lumit Buna, nisë Plazhi i Madh i Ulqinit! Atje dominojnë pushuesit shqiptarë dhe ata boshnjakë, por të ardhur nga shtetet Perëndimore, ku punojnë! Në këtë plazh, më të zëshëm janë prindërit e brengosur, që u bërtasin fëmijëve të mos futen në ujërat e thella të detit! E kur jemi te thirrjet e tyre, bie në sy se thuajse nuk dëgjon prind shqiptarë që fëmijëve të vet t’u drejtohet shqip, njësoj siç thuajse nuk dëgjon prind boshnjak, që fëmijëve të vet u fletë në gjuhë joamtare! Që do të thotë se, o mërgimtarët shqiptarë turpërohen nga vetvetja dhe duan rrejshëm të tregohen si pjesëtarë të popullit të shtetit nga vijnë, ose boshnjakët mburren me atë që janë dhe duan të mbeten të atillë siç u pëlqen vetvetja, e jo siç do i pëlqenin të tjerët!”
Megjithatë, ka diçka që i bënë të ngjashme këto dy plazhe, që në të vërtet janë një, por si shumëçka e jona, me në mes ndonjë ‘lum’, që shqiptarët i ndanë nga shqiptarët: romët e vegjël, që kërkojnë lëmoshë, e që të duken si të vetmit ‘pushues’, që nuk e prishin rehatin as kur u jep ndonjë monedhë, as kur i dëbon nga vetvetja! Ku ta dish, mbase pse e dinë se s’mund të jenë as pronarë të plazhit, e as të detit, ata i gëzohen pronës më të shtrenjtë, që i takon çdo njeriu: lindjes së radhës së diellit, që nuk do përsëritet kurrë më në jetën tonë!