“Dita e Evropës 9 Maji”, u kremtua në Tiranë në një koncert madhështor, në një nga sheshet më të bukura të Tiranës, “Sheshi Italia”.
Një koncert që përmblodhi muzikën më të mirë të legjendarit, artistit italian me famë botërore, Ennio Morricone në një shfaqje të veçantë, “ Morricone ishte im atë”, organizuar nga COD, mbështetur nga kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Kulturës, Blendi Goxhe, Instituti Italian i Kulturës, si dhe Amasada Italiane në Tiranë.
Ky koncert u risoll me mjeshtëri nga dirigjenti, i biri i Morricones, Andrea Morricone si dhe luajtur me dinjitet të lartë nga Orkestra Sinfonike e Radio-Televizionit Shqiptar dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje ku muzika u kthye në kujtesë, emocion dhe histori.
Koncerti i veçantë kushtuar trashëgimisë së një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore, solli tingujt që kanë shoqëruar filma legjendarë dhe breza të tërë emocionesh, ku publiku përjetoi një udhëtim unik artistik përmes muzikës, kujtimeve dhe rrëfimeve familjare, me pjesëmarrjen e Marco Morricone dhe artistëve ndërkombëtarë si Cecilia Grillo, Alessio Quaresima Escobar dhe Vittoriana de Amicis.
Koncerti i organizuar në kuadër të Ditës së Europës, si një festë që bashkon kulturën europiane, artin dhe publikun shqiptar u ndoq nga mjaft personalitete të vendit, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, artistë dhe dashamirës të artit.
Ky koncert u mundësua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën Italiane në Tiranë, RTSH dhe TKOB.









