Elite – Dr. Hana, vitet e fundit po dëgjojmë gjithnjë e më shumë për problemet e tiroidës dhe sidomos për Hashimoton. A është kjo një “epidemi moderne” apo thjesht sot diagnostikohet më shpesh?
Dr. Hana Ameti: Mendoj se janë të dyja bashkë. Sot kemi më shumë ndërgjegjësim dhe diagnostikim, por njëkohësisht jetojmë në një epokë ku organizmi ekspozohet vazhdimisht ndaj faktorëve që dëmtojnë ekuilibrin hormonal dhe imunitar: stresi kronik, ushqimi ultra i përpunuar, mungesa e gjumit, inflamacioni intestinal, toksinat mjedisore dhe ritmi shumë agresiv i jetesës moderne.
Hashimoto nuk është thjesht “problem i tiroides”. Është një sëmundje autoimune ku sistemi imunitar fillon të sulmojë vetë gjëndrën tiroide. Pra, problemi fillon tek disbalanca imunitare dhe inflamacioni sistemik, jo vetëm tek hormonet.
Elite- Shumica e njerëzve mendojnë se tiroidja është thjesht një gjëndër që ndikon tek pesha. Sa e reduktuar është kjo ide në raport me realitetin?
Dr. Hana Ameti: Shumë e reduktuar. Tiroidja nuk kontrollon vetëm peshën — ajo ndikon pothuajse çdo qelizë të organizmit. Është dirigjentja hormonale e metabolizmit, temperaturës trupore, energjisë qelizore, funksionit cerebral, zemrës, fertilitetit, tretjes dhe madje mënyrës si plakemi.
Kur tiroidja ngadalësohet, organizmi futet gradualisht në një gjendje “mbijetese biologjike”. Qelizat prodhojnë më pak energji, trupi mban më shumë ujë, metabolizmi bie, truri mjegullohet dhe inflamacioni rritet.
Shumë njerëz jetojnë për vite duke menduar se janë “dembele”, “emocionale” ose “thjesht po plaken”, ndërkohë që organizmi i tyre po jep sinjale të forta hormonale.
Elite – Pse Hashimoto po prek gjithnjë e më shumë gra të reja?
Dr. Hana Ameti: Sepse trupi modern jeton në kushte biologjikisht jo natyrale.
Ne kemi krijuar një mënyrë jetese ku organizmi është vazhdimisht në alarm:
* stres kronik,
* mungesë gjumi,
* ekspozim ndaj dritës artificiale natën,
* ushqime ultra të përpunuara,
* pesticide,
* mikroplastikë,
* parfume dhe produkte kozmetike me disruptorë hormonalë,
* vakte të çrregullta,
* konsum të lartë kafeine dhe sheqeri.
Problemi është se sistemi hormonal femëror është jashtëzakonisht sensitiv ndaj stresit biologjik. Dhe tiroidja është ndër organet e para që reagon.
Elite – Ju shpesh përmendni termin “inflamacion i heshtur”. Çfarë do të thotë kjo?
Dr. Hana Ameti: Është një nga fenomenet më të rrezikshme moderne sepse nuk dhemb menjëherë.
Inflamacioni i heshtur është një zjarr i ulët kronik brenda organizmit që dëmton gradualisht qelizat, hormonet dhe imunitetin. Pacienti mund të mos ketë temperaturë apo dhimbje të forta, por mund të ketë:
* lodhje,
* mjegullim mendor,
* fryrje,
* ankth,
* mbajtje uji,
* rënie flokësh,
* probleme me lëkurën,
* rezistencë ndaj rënies në peshë.
Dhe pikërisht ky inflamacion krijon terren ideal për sëmundje autoimune si Hashimoto.
Elite -Ka njerëz që hanë shumë pak, por përsëri shtojnë peshë. Si shpjegohet kjo tek pacientët me Hashimoto?
Dr. Hana Ameti: Sepse problemi nuk është gjithmonë sasia e ushqimit — por mënyra si funksionon metabolizmi hormonal.
Kur hormonet tiroide bien, organizmi fillon të kursejë energji. Trupi futet në modalitet “survival”. Djeg më pak kalori, mban më shumë lëngje dhe inflamacioni rritet.
Kam parë paciente që konsumojnë shumë pak ushqim dhe përsëri nuk humbasin peshë sepse organizmi i tyre është i stresuar biologjikisht.
Një tjetër problem është kortizoli i lartë nga stresi kronik. Kortizoli i lartë mund të bllokojë konvertimin e T4 në T3 — formën aktive të hormonit tiroide. Pra, edhe kur analiza duket “normale”, qeliza mund të jetë në uri energjetike.
Elite – Çfarë nuk thuhet pothuajse kurrë në media për Hashimoton?
Dr. Hana Ameti: Që shumë simptoma “psikologjike” mund të kenë bazë hormonale dhe inflamatore.
Shumë gra me Hashimoto etiketohen si:
* të lodhura emocionalisht,
* dembele,
* anksioze,
* depresive,
* hipersensitive.
Por kur hormonet tiroide nuk funksionojnë mirë, truri ndikohet direkt. Neurotransmetuesit ndryshojnë. Inflamacioni ndikon sistemin nervor.
Pra, ndonjëherë nuk është vetëm “emocionale”. Është biologjike.
Dhe kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet.
Elite – A është e vërtetë që problemet intestinale lidhen ngushtë me Hashimoton?
Dr. Hana Ameti: Shumë më tepër sesa mendojnë njerëzit.
Në shumë raste, autoimuniteti fillon në zorrë. Nëse mikrobioma intestinale dëmtohet, barriera intestinale bëhet më permeabël dhe molekula që nuk duhet të kalojnë në gjak fillojnë të kalojnë. Sistemi imunitar aktivizohet vazhdimisht.
Shpesh pacientët me Hashimoto kanë:
* fryrje,
* refluks,
* kapsllëk,
* intoleranca ushqimore,
* kandida,
* disbiozë intestinale.
Për këtë arsye nuk mund të trajtojmë tiroiden pa trajtuar edhe zorrën.
Elite – Cilat janë mungesat më të zakonshme tek pacientët me Hashimoto?
Dr. Hana Ameti:
Më shpesh shoh:
* mungesë vitamine D,
* ferritinë të ulët,
* mungesë magnezi,
* selenium të ulët,
* zink të ulët,
* omega-3 të pamjaftueshme,
* proteina të pamjaftueshme.
Dhe këto mungesa ndikojnë direkt në prodhimin dhe aktivizimin e hormoneve tiroide.
Për shembull, pa selenium organizmi nuk konverton mirë T4 në T3. Pa hekur të mjaftueshëm, qelizat nuk oksigjenohen siç duhet. Pa proteina, hormonet nuk transportohen optimalisht.
Elite – Ju keni folur edhe për ndikimin e dritës artificiale natën. Si lidhet kjo me tiroiden?
Dr. Hana Ameti: Kjo është një temë që diskutohet shumë, për të mos thëmë aspak.
Trupi funksionon sipas ritmeve cirkadiane. Kur ekspozohemi ndaj ekranit dhe dritës blu deri vonë natën, melatonina ulet. Dhe melatonina nuk është vetëm “hormon gjumi” — ajo ndikon inflamacionin, stresin oksidativ dhe balancën hormonale.
Gjumi i dobët për muaj apo vite mund të ndikojë:
* kortizolin,
* insulinën,
* oreksin,
* hormonet tiroide,
* inflamacionin.
Pra, njerëzit shpesh kërkojnë “dietën perfekte”, por harrojnë se organizmi rigjenerohet gjatë natës.
Elite – A mendoni se diagnostikimi i Hashimotos bëhet gjithmonë siç duhet?
Dr. Hana Ameti:
Jo gjithmonë.
Shumë pacientë kontrollojnë vetëm TSH dhe u thuhet “je në rregull”, ndërkohë që mund të kenë:
* antitrupa shumë të lartë,
* inflamacion,
* simptoma të forta,
* konvertim të dobët hormonal.
Tiroidja nuk duhet parë vetëm përmes një numri laboratorik. Duhet parë klinikisht, biologjikisht dhe individualisht.
Elite – Çfarë mesazhi do t’u jepnit grave që ndihen të pakuptuara nga sistemi shëndetësor?
Dr. Hana Ameti: Mos injoroni intuitën e trupit tuaj.
Nëse ndiheni vazhdimisht të lodhura, të fryra, pa energji, me rënie flokësh, ankth apo mjegullim mendor — kërkoni më thellë. Mos pranoni menjëherë idenë se “është normale”.
Trupi flet me simptoma shumë kohë përpara se të bërtasë me sëmundje. Dhe ndonjëherë, diagnoza më e rëndësishme fillon kur një grua vendos më në fund ta dëgjojë veten.

