Maye Musk, nëna 78-vjeçare e miliarderit Elon Musk, ka treguar se nuk e ka problem të jetojë në kushte të thjeshta, pavarësisht pasurisë së djalit të saj.
Në një intervistë për New York Post, ajo tha se një divan apo edhe një dyshek në dysheme janë të mjaftueshme për të. Sipas saj, edhe të kesh një çati mbi kokë është një luks.
Maye Musk zbuloi se gjatë vizitave te djali i saj në Starbase, Teksas, ajo fle në një garazh. Starbase është kompleksi ku SpaceX zhvillon dhe teston aktivitetet e saj hapësinore.
“Nuk më shqetëson fare”, tha ajo, duke shpjeguar se është mësuar me një mënyrë jetese të thjeshtë që nga fëmijëria dhe se ka kaluar shumë kohë në natyrë.
Rrëfimi i saj vjen në kuadër të promovimit të librit të ri, ku Maye Musk tregon historinë e jetës, karrierës dhe vështirësive që ka kaluar si nënë e tre fëmijëve, si dhe martesën dhe divorcin e saj nga Errol Musk.
Në moshën 78-vjeçare, Maye Musk vazhdon të jetë aktive si modele, dietologe, autore dhe folëse motivuese.



