To top
13 Maj

Gara e fortë në Tiranë! Jorida Tabaku, një aset i PD-së mbetet jasht! Gonxhja kryeson fuqishëm, Majko humbet

Procesi i numërimit vijon ndërsa në Tiranë janë hapur 1242 kuti nga 1282 në total. Sipas rezultateve të deritanishme, Partia Socialiste kryeson bindshëm me mbi 200 mijë vota ose 47.90% ndërsa Partia Demokratike ka marrë 146,688 vota ose 35.03 %.

Sali Berisha ka marrë 13 mandate në Tiranë ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt është drejt rrugës së fitores së një mandati të dytë me Erald Kaprin, duke i marrë një mandat PD dhe duke lënë jashtë Jorida Tabakun.

Partia Demokratike me 13 mandate në Tiranë do të shtojë vetëm një nga lista e hapur. Nga të dhënat e KQZ-së deri tani më i votuari është Ilir Alimehmeti që ka rreth 230 vota më shumë se Jorida Tabaku.

Ajo që bie në sy nga numërimi i votave në Tiranë janë 5722 vota të fituara nga Blendi Gonxhe i cili qëndron në vend të parë, i ndjekur nga Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi.

Një vend në shtatëshen e parë është edhe për Erion Braçen, ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, Antonela Dedejn dhe Anila Denajn ndërsa Pandeli Majko mbetet jashtë.