To top
6 Dhj

Mirush Kabashi, shuhet “Sokrati shqiptar”

Pasi u mbajtën për disa orë homazhe në nder të aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi është përcjellë për në banesën e fundit.

Që nga ora 10:00 deri në 13:00, në nder të tij, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvilluan homazhet, ku në shenjë respekti për aktorin, morën pjesë artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Kabashi, artist i merituar, do të prehet në varrezat e Sharrës.

Kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, fituesi i “Sfinksit të Artë” mes aktorëve nga e gjithë bota me interpretimin e “Apologjisë së Sokratit”,  mbylli sytë ditën e djeshme pas mesnate.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e artistit, të cilët nëpërmjet një njoftimi shkruajnë se:“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”

Kush ishte Mirush Kabashi 

Mirush Kabashi ka gdhendur qindra karaktere të papërsëritshëm në ekran e teatër, një galerie personazhesh që kujtohen dhe janë pjesë e të folurës së përditshme përmes batutave të tyre. Aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare.

Do të kujtohet gjithnjë për artin e tij dhe gjithçka dha në shërbim të tij dhe shoqërisë. Do të kujtohet edhe me shprehjen e tij “Trupin ç’e do, shpirti ka vlerë”.

Dy vite më parë u përball në qershor të vitit 2021 me lajmet e rreme që qarkulluan për vdekjen e tij dhe nuk ishte rasti i vetëm. Edhe këto lajme të rreme i trajtoi me elegancë, qytetari duke e pranuar ikjen si një ngjarje jete që një ditë vjen për këdo dhe duke tërhequr vëmendjen për më shumë kujdes, verifikim të informacionit.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Artisti shqiptar me origjinë nga Gjakova la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ndër rolet e tij të larmishme, më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Po ashtu, ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Jo vetëm kaq, ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke kryer edhe detyrën e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Që nga viti 2014 mban titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa më parë kishte fituar titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Filmografia

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu, edhe kështu (1989)

* Binarët (film) (1987)

* Telefoni i një mëngjesi (1987)

* Zëvendësi i grave (1987)

* Nxënësit e klasës sime (1984)

* Kohë e largët (1983)

* Dora e ngrohtë (1983)

* Shoqja nga fshati (1980)

* Një ndodhi në port (1980)

* Gëzhoja e Vjetër (1980)

* Radiostacioni (1979)

* Koncert në vitin 1936 (1978)

* Zani partizani (1976)

* Emblema e dikurshme (1976)