To top
8 Nën

Monika Stafa: Sofia, ideali femror!

Nga Izaura Ndoj
 Të jesh vetëm një imazh tërheqës në ekran, nuk do të thotë të mos kesh dhunti të tjera. Ky është mendimi i parë që më vjen në mendje, teksa bashkëbisedoj me gazetaren dhe publicisten Monika Stafën për librin e saj më të ri. “Një ditë si Sofia” është novela, e cila që me titullin të intrigon për ta lexuar. Sofia është femra që portretizon realitetin shqiptar. Gjatë intervistës, gazetarja na rrëfen historinë e kaluar dhe të paharrueshme të Sofisë, modelin e gruas që e përligj shumë mirë pozicionin e saj në krah të burrit, por jo rolin e dytë apo të tretë, kudo ajo është.Sofia duhet të jetë çdokush nga ne që i njeh mirë të drejtat e veta, dhe s’ka pse të bërtasë për to se i zotëron. Sofia nuk është thjesht një femër: ajo është një nënë, motër, e dashur, vajzë; gjithçka ka të bëjë me gjininë njerëzore, jo vetëm me atë femërore.
“Një ditë si Sofia”, një libër që i përket çdo femre. Si nisi ideja për ta shkruar?Ka qenë një ngacmim i brendshëm. Ditë të kaluara paharrueshëm dhe që ishte e pamundur t’i mbaja për vete. Ky është në fakt itinerari im, gati-gati i përditshëm, mes afateve të panumërta, mes një aktiviteti profesional, civil e familjar. Një jetë që e dua me plot kuptimin e fjalës.
Sofia, a rrëfen realitetin e femrës shqiptare?
Sofia është një grua gjysëm hyjni e gjysëm njeri, e skriptuar nga studiuesit vonë. Doli shumë vite pasi tradita hebraike ish zbuluar. Është modeli i një gruaje që e përligj shumë mirë pozicionin e saj në krah të burrit, por jo rolin e dytë apo të tretë kudo ajo është. Sofia duhet të jetë çdokush nga ne që i njeh mirë të drejtat e veta, dhe s’ka pse të bërtasë për to se i zotëron. Sofia nuk është thjesht një femër: ajo është një nënë, motër, e dashur, vajzë; gjithçka ka të bëjë me gjininë njerëzore, jo vetëm me atë femërore.
Liria është ideali i çdo femre, po për Sofinë çfarë personifikon?
 Liria është ideali i çdokujt, për sa kohë nuk e kupton atë, dhe mandej s’ka si e zotëron. Njeriu lind i lirë, por dogmat e shoqërisë më pas e mësojnë atë nën programe, që historia e njerëzimit është munduar gjithmonë ta manipulojë. Shumë gra ka njohur historia si Sofia. Do ketë ende edhe tani.
Sa e lidhur jeni ju me Sofinë? A ka marrë nga personaliteti juaj ky personazh?
Sofia dhe unë jemi dy qenie të ndryshme. Në rrjedhën e novelës, asnjëherë njëra nuk e zëvendëson tjetrën. Unë thjesht e vëzhgoj dhe e studioj Sofinë. Ngjarjet që më rrethojnë mundohem t’i lidh në një kub shumëngjyrësh që e rrotulloj herë pas here, derisa sipërfaqet të më njësohen me të njëjtën ngjyrë. Sofia është burimi i dritës; unë e ndjej se duhet të vrapoj drejt saj.
Ekrani është një armë shumë e fortë për të qenë afër me publikun. Mendoni se kjo është edhe një arsye pse shumë lexues e pëlqejnë penën tuaj?
 Nuk e kam përdorur asnjëherë! Unë kam bërë edhe shumë punë të tjera, dhe nuk e kam shfrytëzuar ekranin e vogël. E kam kënaqësi të flas për atë që shkruaj. Fundja është një bashkëbisedim me lexuesin tim.
Femrat në përgjithësi kanë ideale. Cilat janë idealet tuaja në jetë?
Të jem kjo që jam sot, me etjen e pafundme për të nxënë e për të jetuar mes njerëzve të mi të dashur, të cilëve me zemër dua t’ua bëj jetën sa më shumë që të jetë e mundur të lumtur.
“Një ditë si Sofia” është libri juaj i katërt. Nga se ndikoheni kur shkruani?
Më ndodh që më ngacmon një periudhë e gëzuar dhe e suksesshme. Sapo kisha përfunduar me sukses projektin “Kush e ngriti Flamurin”. Ishte një program që ma pastroi shpirtin dhe më mësoi shumë. Mora shumë dashuri dhe respekt nga cilido që kisha në studio, dhe jo vetëm. Pas kësaj, një periudhë e bukur pushimi në ekran, e cila më shërbeu në këtë lloj mënyre. Solla në jetë këtë novelë, që e dua shumë.