To top
27 Dhj

Gëzim Myshketa rrëfehet përtej skenës

Perdet e rënda ulen, duartrokitjet pushtojnë sallën. Ishte një natë e lodhshme, por pas jehonës së suksesit nuk ka të paguar kënaqësia. Net si këto e shoqërojnë kaherë Gëzim Myshketën, këngëtarin operistik shqiptar në Itali. Por le të rikthehemi që në gjenezë, aty ku nisi rrugëtimi i tij i paracaktuar që nga gjyshërit. Këngët lirike i rrjedhin në deje Gëzimit, i cili trashëgoi pasionin dhe talentin e të atit, ndërsa para të atit atë të gjyshit. Edhe pse i ri në moshë, vetëm 32 vjeç, ka një repertor aspak modest, i cili rendit interpretimin e kryeveprave botërore. Studimet i kreu në vendlindjen e melodive hyjnore lirike, në “Konservatorin” e Verdit, në Toskanë. Jo vetëm sepse ky vend është vendlindja e këtij zhanri barok, por edhe sepse Gëzimi lindi në qytetin bregdetar të Durrësit dhe ëndrrën e tij e ndante vetëm Adriatiku. Historitë e gjyshe Aidës mbi takimin e të shoqit me Enrico Caruso e Begnamino Gigli, e bënë në sytë e Gëzimit gjithnjë e më të dëshirueshme këtë profesion. I vendosur prej vitesh në Itali, ai rrëfen se në Parma njerëzit jetojnë me tortelini dhe opera. Janë dashnorë të përbetuar të kësaj trashëgimie të çmuar legjendare që prej mesjetës. Kujton me dashamirësi të thellë hapat e parë në skenat sa madhështore aq edhe të frikshme e hijerënda. Shpatulla e fortë ku ai ka gjetur mbështetje ishte ajo e profesorit Giuliano Ciannella, i cili besoi gjithnjë në talentin e tij, duke e bërë Gëzimin të shkelë që në moshën 20-vjeçare në një nga skenat më prestigjioze, në teatrit “REGGIO di Parma”. Pas atij momenti dhe në vijim Gëzimi numëron kryeveprat botërore që ka përcjellë me pasonin më të thellë: “Megjithëse rruga ime shkon padyshim drejt një repertori të qartë Baritonal Verdian, falë timbrit prej Bass-Baritoni dhe muzikalitetit, kam pasur fatin të këndoj që nga Monteverdi, Pergolesi, Cimarosa, Handel, Mozart, Rossini e deri te Verdi, Cilea, Mascagni, Leoncavallo, Puccini, Bernstein, Weil etj. Me pak fjalë, të bëj një udhëtim muzikor prej katër shekujsh”. Eksperiencat në skena ndërkombëtare janë të panumërta, por ato që Gëzimi veçon janë eksperiencat ku ka ndarë skenën me kolegë bashkëkombës. Përveç talentit dhe karrierës, ai ndan një gjuhë, një kombësi. Ndër ta përmend eksperiencën me Sajmir Pirgun, Ermonela Jahon. Ajo çka të ngjall kureshtje është si e ndërton jetën një këngëtar lirik jashtë skenës. Formula është e thjeshtë: mbrëmje të bardha dhe mëngjese të vona. Pjesën më të madhe të kohës ia dedikon studimit, por pa lënë pas dore edhe jetesën normale me festa dhe darkime, si çdo 32-vjeçar. Momentalisht është vendosur në Bolonja, zgjedhje strategjike kjo, për sa i përket kulturës, qytetarisë dhe kuzhinës fantastike. Angazhimet janë të shumta dhe vepra e radhës që Gëzimi po vë në skenë është “Don Giovanni”. “Aktualisht jam ne tour me operën “Don Giovanni”, ku interpretoj protagonistin kryesor, me regji të njërës nga figurat kryesore botërore të vënies skenike operistike, Sir Graham Vick. Është një spektakël që ka bërë mjaft skandal për skenat e forta dhe rivizitimin mjaft aktual dhe për të cilin ka folur gjerësisht shtypi kryesor italian “Corriere della Sera”, “Repubblica”, “Sole”, “24 Ore”, “Il Messaggero” etj.” Jo çdokush është aq fatlum sa të interpretojë të shkuarën, duke bashkëjetuar me të tashmen. Nuk mund të ketë ambasador më të mirë për vendin tonë se njerëzit e talentuar që na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare.